Ish-drejtuesi i fushatës presidenciale të Donald Trumpit, Paul Manafort, është dënuar me 47 muaj burgim për mashtrime bankare e tatimore.
Bashkëpunëtori i manjatit republikan u shpall fajtor vitin e kaluar për fshehjen e miliona dollarëve të ardhura nga aktiviteti këshillues që ka pasur në politikën e Ukrainës.
Javën e ardhshme, Manafort pritet të marrë edhe një tjetër dënim për një rast të lidhur me lobimin e paligjshëm. Përpos ditëve që do të kalojë prapa hekurave, ai duhet të paguajë 18 milionë dollarë si kthim të parave që ka fshehur e gjithashtu edhe një gjobë prej 50 000 dollarësh.
Vetë Manafort u shpreh në gjykatë se këto dy vitet e fundit kanë qenë më të vështirat e jetës së tij.
“Sot ndihem i turpëruar e i poshtëruar”, ishte deklarata e 69-vjeçarit që i kërkoi gjykatësit që të tregohej i mëshirshëm.
Akuzat e rastit të dytë lidhen me hetimet e kryera mbi fushatën e Trumpit dhe mundësisë së ndonjë bashkëpunimi me Rusinë në 2016. Prokurori Special, Robert Mueller, pritet të përfundojë hetimin e tij 22-mujor, i cili i ka hedhur një hije të rëndë mbi presidencën e Donald Trumpit.
Top Channel