Në këtë ditë të veçantë, mësuesit e shkollave të Tiranës kanë marrë edhe një letër falenderimi nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron 7 Marsin.
Në mesazhin drejtuar mësuesve, Veliaj vlerëson maksimalisht punën dhe përkushtimin e tyre në rritjen dhe edukimin e brezit të ri.
Veliaj nënvizon se në këto katër vite është duke u ndërtuar Tirana që plotëson nevojat e gjeneratës tjetër me çerdhe dhe kopshte, Tiranën me kënde lodrash dhe biblioteka në çdo lagje Tiranën me 17 shkollave të reja, pa mësim me dy turne dhe klasa kolektive. “Kam krijuar një koalicion të jashtëzakonshëm me fëmijët, jo sepse i shoh si taksapagues ose votues, sepse nuk janë, por sepse janë agjentë të patrembur dhe idealistë të ndryshimit. Jemi duke ndërtuar Tiranën që plotëson nevojat e brezave të ardhshëm”, thekson ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës siguron se puna nuk do të ndalet me kaq, por do të vijojë për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet në të cilat ata japin mësim.
Letra e plotë:
Të dashur mësues,
Më jep shumë kënaqësi t’ju uroj 7 Marsin e 132-të që prej themelimit të Mësonjtores së Parë Shqipe. Unë jam gjithnjë i përulur ndaj punës dhe përkushtimit tuaj dhe do të doja t’ju falenderoja sot me gjithë zemër.
Në këto katër vite si Kryetar i Bashkisë, bashkë jemi takuar në inspektime punimesh, hapjen e klasave apo dhe shkollave të reja, dhe bashkë me ndërtesat kam parë se si janë rritur e kultivuar nxënësit e këtij qyteti. Një brez i ri dhe optimist po rritet edhe falë punës suaj dhe kjo më bën shumë krenar.
Të gjithë ruajmë me nostalgji mësimet dhe këshillat që na keni dhënë, këto kujtime do t’i ruajmë gjatë gjithë jetës tonë. Çfarë është Tirana përveç se vetë qytetarët dhe kujtimet tona. Por më shumë, Tirana e së ardhmes u përket fëmijëve që kanë lindur dhe e gjeneratave të reja që do të lindin. Ata do ta gëzojnë Tiranën e së ardhmes. Por, duhet që ne sot ta planifikojmë Tiranën për ta.
Prandaj, kam krijuar një koalicion të jashtëzakonshëm me fëmijët, jo sepse i shoh si taksapagues ose votues, sepse nuk janë, por sepse janë agjentë të patrembur dhe idealistë të ndryshimit. Jemi duke ndërtuar Tiranën që plotëson nevojat e brezave të ardhshëm me çerdhe dhe kopshte që zhvillojnë dhe ushqejnë mirë fëmijët; Tiranën me kënde lodrash dhe biblioteka në çdo lagje; Tiranën e 17 shkollave të reja si shkolla ‘Kosova’ apo ‘Adrian Klosi’; Tiranën me shkolla ekzistuese të rikonstruktuara si “Çajupi” apo “Qemali” Tiranën pa mësim me dy turne dhe klasa kolektive; Tiranën me shkolla si qendra komunitare, ku fëmijët mund të luajnë të sigurt larg rrugës; Tiranën e ‘Pyllit Orbital’ i përbërë nga dy milion pemë, shumica të dhuruara nga qytetarët.
E ndërkohë që këtu në Bashki vijojmë punën për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet në të cilat ju jepni dije, duke hapur parqe e duke mbjellë pemë, pesho më e madhe qëndron me ju. Patrioti rilindas Sami Frashëri ka thënë: “Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.” Ndërtesat e rrugët ndërtohen, prishen e sërish ndërtohen, por kultivimi i mendjeve të njoma dhe përgatitja e tyre për t’u bërë mendje të pjekura nuk është punë që ribëhet kollaj. Jam besimplotë se me shumë dashuri për punën dhe fëmijët e këtij qyteti do të arrijmë vizionin e përbashkët për një Tiranë mendjendritur.
Me mirënjohje, gëzuar!
Erion Veliaj
Top Channel