Pamjet e reja satelitore tregojnë se Koreja e Veriut ka nisur punime në zonën e lëshimit të raketave, të cilën ishte zotuar që ta mbyllte përfundimisht.
Imazhet janë marrë vetëm dy ditë pasi bisedimet mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong-un përfunduan pa marrëveshje mbi denuklearizimin.
Baza e Tongchang-rit, siç thotë BBC, është përdorur për lëshime satelitësh e testime motorësh, e asnjëherë për hedhje raketash balistike. Puna për çmontimin e saj nisi vitin e kaluar, por ndaloi kur bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngecën në vendnumëro.
Zotimi për mbylljen e kësaj baze u pa si mënyrë për të rritur besimin mes Uashingtonit dhe Penianit, dhe fotot e atëhershme satelitore treguan se ky zotim po vihej në jetë vërtet.
Por, me njoftimet e fundit, shtypi amerikan ka nisur të pyesë nëse regjimi i Kim Jong-un po i kthehet kërcënues situatës së mëparshme, apo bëhet fjalë vetëm për një manovër teatrale për t’i bindur amerikanët të kthehen shpejt në tryezën e negociatave.
Hipoteza tjetër, e cila mbështetet edhe nga shërbimet amerikane të inteligjencës, është se Kim nuk ka reshtur kurrë së zhvilluari armët e tij. Thuhet se punimet në këtë zonë kanë rinisur në periudhën ndërmjet 18 dhe 22 shkurtit, pra ndërkohë që udhëheqësi koreano-verior përgatitej për samitin e Hanoit.
Top Channel