Ministri francez i Ekonomisë dhe Financës, Bruno le Maire, prezantoi një ligj që do ta bëjë qeverinë franceze të mbledhë 400 milionë euro në taksa, këtë vit, nga gjigantët teknologjikë si Google, Apple, Facebook dhe Amazon.

Taksa që njihet me emrin GAFA, sipas inicialeve të përmendura më lart, do të jetë në shkallën 3% dhe do t’i vendoset kompanive me të ardhura dixhitale në Francë prej të paktën 25 milionë eurosh. Franca shpreson që të gjitha vendet anëtare të organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim, OECD, të përqafojnë së shpejti masën, pavarësisht një dështimi të mëhershëm për të arritur konsensus në nivel evropian.

Bruno Le Maire, ministër i Ekonomisë dhe Financave, u shpreh: “Gjigantët teknologjikë me më shumë se 750 milionë euro fitime dixhitale globale dhe 25 milionë euro fitime dixhitale në Francë, do të taksohen që nga 1 janari 2019. Kjo taksë 3% do të aplikohet vetëm mbi të ardhurat e tyre dixhitale dhe do të na mundësojë që ne të kemi një taksim më të ndershëm”.

Sipas ligjit të BE-së, gjigantët e internetit mund të zgjedhin të raportojnë të ardhurat e tyre në çdo vend anëtar, çka edhe ka bërë që ata të zgjedhin vende me sisteme taksash të ulëta si Irlanda, Holanda apo Luksemburgu. Kjo ka shkaktuar debate mes vendeve evropiane, por blloku me 28 anëtar është i ndarë për sa i takon zgjidhjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA