Me rastin e 7 marsit, Bashkia e Tiranës vlerësoi me “Medaljen e mirënjohjes” 8 prej mësuesve të cilët falë punës së palodhur dhe pasionit ndër vite kanë kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e brezave të rinj. Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i cili priti në një takim të veçantë një grup mësuesesh të cilat tashmë kanë dalë në pension.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj i falënderoj për gjithçka që kanë bërë në dobi të arsimit në kryeqytet dhe për modelin pozitiv që ato transmetojnë në komunitet. “Me zyshat që janë sot aktive, kanë qenë të gjithë fëmijët e Tiranës, edhe ajo që po thosha stafit është: -Po mirë, po me zyshat që kanë dalë në pension, do kalojë njeri kohë? Kështu që kisha shumë kënaqësi, së pari për t’ ju thënë jo vetëm ju, por edhe gjithë zyshave të tjera në pension që ka një gjeneratë që nuk i ka harruar. Për gjithsecilën prej jush kam përgatitur një medalje të vogël, edhe si shenjë mirënjohje për gjithë kontributin, por edhe për faktin që ne të bashkisë ju konsiderojmë aleatë, se zyshat janë jo vetëm mësuese ato 45 minuta në klasë, por mësuese edhe në komunitet, edhe në shkallë, edhe në lagje, edhe në rrugë. Kështu që unë ju falenderoj me gjithë zemër dhe ju falenderoj shumë shumë për gjithë kontributin”, nënvizoi Veliaj.
Në këto katër vite, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë investimesh të rëndësishme jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, por njëkohësisht edhe për afrimin e të rinjve me librit. Ndaj, edhe një nga prioritetet e Bashkisë ka qenë ndërtimi i shkollave të reja por edhe hapja e bibliotekave të lagjeve të cilat për shumë vite ishin zaptuar duke u kthyer në lokale dhe bingo. “Kemi filluar në fakt tani te këto bibliotekat, kemi filluar rrethet e leximit. Pastaj në këto shkollat komunitare kemi futur klasat sportive, kemi futur violinë, piano, kemi futur gjuhë të huaja. Thelbi është që pas mësimit me i heq nga rruga dhe s’po them që do të dalin prima balerinë apo do të marrin medalje në olimpiadë, por vetëm fakti që 4-5 orë i kalojnë në një ambient të sigurt, të organizuar, jashtë rrugës, jashtë këtyre kafeve dhe llogjeve është mirë”, tha ai, teksa shtoi se falë këtij transformimi është rritur edhe interesi i të rinjve dhe i prindërve të tyre. Veliaj njohu mësueset edhe me prioritetet e Bashkisë së Tiranës sikurse është hapja e 17 shkollave të reja.
“Na kanë ecur shumë mirë. Kemi hapur dhe këto bibliotekat tani dhe një interes i jashtëzakonshëm. 62 palestra ua kemi dhënë 62 shoqatave sportive, ca janë në taekwondo, ca janë në karate, ca janë në volejboll, ca janë në basketboll, por e paimagjinueshme se nga dalin gjithë ata kalamaj”, tha ai.
Veliaj deklaroi se fokus i punës së përditshme të Bashkisë së Tiranës kanë qenë fëmijët e kryeqytetit, për të cilët janë ndërtuar kënde lojërash apo hapësira të tjera për rritjen dhe argëtimin e tyre. “Kur filluam atëherë me këto këndet e lodrave thoshin, po lere se nuk ka kalamaj. Thashë unë si mund të jetë mosha mesatare e qytetit 34 vjeç dhe mos ketë fëmijë. Çështja është që në momentin që s’ke ku i nxjerr sigurisht që nuk duken. Dhe është më mirë i ke aty dhe të sigurt sesa o kompjuter, o në kafe ose në këto qendrat tregtare”, deklaroi Veliaj.
Top Channel