Gjirokastra është duke u përgatitur për sezonin e ri turistik, ndërsa turistët e parë kanë filluar të duken që prej mesit të shkurtit. Fundjavat janë të mbushur me turistë francezë, sipas njësive të akomodimit. Situata disi kaotike në vend duket se nuk ka cenuar rezervimet e deritanishme, por nëse tensionet do të vijojnë, sipas operatorëve turistikë, ajo mund ta ndikojë turizmin.

Kreu i Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër, njëherazi edhe biznesmen në fushën e turizmit, thotë se situata nuk i shërben turizmit. Vizitorët tipikë të pranverës që vijnë nga vendet fqinje mund të frenoheshin.

Qazim Tuqi ka një hotel tradicional në Pazarin e Gjirokastrës. Ai thotë se po vëren një frenim të rezervimeve në këtë periudhë dhe shpreson që kjo të mos zgjasë shumë. Situata politike i shtohet, sipas tij, vështirësive të mëdha që qyteti do të përballë gjatë verës, ndërsa është duke u restauruar sistemi i kalldrëmeve.

Qafa e Pazarit dhe njësitë e shitjes së suvenireve në këtë pjesë të qytetit janë të parët që reflektojnë mbërritjen e turistëve. Alma Dhrami, që prej vitesh stilon suvenire me motive të traditës, shpreson në një sezon të mirë.

Gjirokastra dhe rrethinat e saj për nga numri i rezervimeve radhiten këtë vit mes destinacioneve më të rëndësishme të turizmit të aventurës në vend. Qindra monumente të vizitueshme dhe ritmi në rritje i shërbimeve po sjell një tendencë të re, atë të kombinimit të qytetit të mbrojtur nga UNESCO me rrethinat që kanë karakter rural me bukuri të rralla natyrore.

Dikush që viziton Gjirokastrën mundet të kryejë ngjitje të guiduar me këmbë nëpër shtigje malore, kalërim në natyrë, rafting, udhëtime me biçikleta malore dhe mjete 4×4.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA