Le të referohemi pak ligjit për varrezat private për të parë nëse këto varreza të fshatit Bulçesh i plotësojnë kushtet.

Neni 3/B, pika 2, e ligjit për shërbimin e varrimit thotë:
“Ngritja e varrezave private bëhet me miratim të këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe/ose të Këshillit të Ministrave. Për njësitë bazë të qeverisjes vendore mund të ngrihet vetëm një varrezë private për 100 mijë banorë dhe me sipërfaqe jo më pak se 10 hektarë”

Duket qartë që varrezat në fshatin Bulçesh nuk plotësojnë asnjë prej këtyre kushteve. Ligji thotë që varrezat private duhet të jenë jo më pak së 10 hektare. Ndërkohë prona e familjes Sheftelia është vetëm 3300 m2.

Pranë varrezave të fshatit Bulçesh, gjejnë banesën e fundit qytetarët e një zonë tashmë shumë të populluar.

Shqipëria është mbushur me banesa informale dhe biznese informale, por tani kemi edhe fenomenin më të ri. Varreza Informale.

Një sipërfaqe toke që shitet nga persona private për varre, ndodhet edhe në njërën nga varrezat publike të Tiranës. Kjo parcelë duket qartë që ka qenë jashtë rrethimit me kangjella të varrezave të Tufinës. Dikush, i ka shkulur kangjellat. Ka pastruar vendin dhe e ka nxjerrë këtë tokë në shitje. Këta persona kanë prishur murin rrethues që parcela private, të duket si zgjerim i thjeshtë, i asaj publike.

Por, ky nuk është zgjerimi i varrezave të Tufinës, i miratuar nga Bashkia e Tiranës. Hapësira e re e caktuar nga bashkia ndodhet sipër në kodër, afër një pylli.

Kurse kjo parcelë është krijuar në mënyrë të paligjshme, për të mbushur xhepat e matrapazëve që bëjnë tregti me vdekjen. Qytetarët të cilët ishin duke rregulluar vendet e varreve që kanë blerë, na treguan arsyen se përse kanë zgjedhur këtë vend.

Ata u shprehën jashtë kamerës së Top Story, se parcela e re e Bashkisë është shumë larg. Ndërsa kjo parcelë private, ndodhet përballë me hyrjen kryesore të varrezave. Top Story tregon se çmimi për një varr shkon nga 250 mijë deri në 300 mijë lekë të vjetra. Disa familje kanë blerë një sipërfaqe më të madhe duke siguruar kështu varre familjare për disa breza.

Por kjo është një shkelje e ligjit. Neni 5, pika 1, e ligjit për shërbimin e varrimit thuhet se “varrosja e kufomave bëhet vetëm në varreza”.
Por shkelja nuk mbaron me kaq. Kjo tokë dikur ka qenë pronë publike. Një vend me shkurre dhe ferra. Ajo është zaptuar nga disa individë dhe tani shitet si pronë private. Ata që blejnë varre këtu, nuk marrin asnjë dokument si dëshmi që kanë bërë një pagesë dhe kujt ia kanë bërë atë pagesë. Nëse pas një fare kohë shteti vendos ti prishi këto varreza pa leje, zaptues konsiderohen familjarët dhe jo ai që u ka shitur tokën.
Por varreza private nuk ka vetëm jashtë gardhit. Janë disa matrapazë të vdekjes, që punojnë nën petkun e zyrtarit shtetëror, të cilët brenda varrezave publike shesin privatisht varre.

Shikoni këto hapësira të rrethuara më kangjella. Aty ndodhet një varr, por ka vend edhe për dy varre të tjerë. Kjo do të thotë që kur një person ka blerë vendin e varrit për një të vdekur ai ka blerë edhe hapësirë për dy ose tre varre të tjera. Kjo është e paligjshme. Të blesh vend për varr pa varrosur njeri është totalisht shkelje ligjore që dënohet me gjobë ose burgim.

Ja çfarë thotë për këtë problem agjencia e shërbimeve funerale në Tiranë. Në një përgjigje zyrtare për emisionin Top Story, ajo sqaron se se pagesa e qytetarëve pranë sporteleve nuk është për vendin e varrit por për shërbimin e kryer. Konkretisht për hapjen dhe mbylljen e gropës. Për veshjen e gropës me pllaka betoni nga brenda. Dhe për ndërtimin e një bordure betoni provizore në sipërfaqe. Agjencia sqaron se toka as blihet dhe as shitet. Ajo është pronë e bashkisë.

Ajo që të bën çudi është fakti, që qindra qytetarë kanë blerë pranë varrezave publike, truall për të ardhmen e tyre…truall për vdekjen e tyre që mund të jetë edhe e largët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA