Top Story përqendroi vëmendjen në shkollën Tahir Sinani, në Kodër-Paskuqan. Kjo godinë e ndërtuar në vitin 2002, mund të jetë shkolla e vetme në botë e cila është vendosur sipër varrezave. Një situatë që shkakton frikë dhe ankth tek nxënësit çdo ditë. Ndërsa brenda në klasë bëhet mësim, përtej dritares nxënësit i shoqëron pamja e varrezave. Vetëm pak metra e ndajnë dritaren e klasës nga ky punëtor që po punon në gropën e një varri.
“Ndjesi e sertë. Flas për lëndën time. Kam për të bërë përshkrimin e natyrës, instinktivisht zgjas dorën dhe them urdhëro si është koha sot, por ç’të përshkruash, e tërheq dorën pa bërë zë”, tha Adriana Çili, mësuese.
Në video xhirohet teksa klasa e 8 zhvillon mësimin. Teksa të gjithë nxënësit dëgjojnë mësimin, Ardisa qëndron e trishtuar duke para nga dritarja. Sytë e saj kërkojnë për babain, i cili ka ndërruar jetë pak muaj më parë. Ai është varrosur aty, afër klasës ku sot bën mësim e bija.
“E kam të pamundur të qëndroj në klasë”, tha Ardisa Stojku, nxënëse.
Situata në të cilën ndodhet Ardisa sjell trishtim të thellë edhe tek nxënësit e tjerë. Disa prej tyre tregojnë situate edhe më të rënda se kaq. Pak kohë më parë një fëmijë i vogël ndërroi jetë dhe varrimi i tij mes piskamave të prindërve drithëroi të gjithë shkollën.
Drejtori i kësaj shkolle, shpjegon se ish-komuna e Paskuqanit duke mos pasur fonde, dhe duke mos pasur tokë të lirë e ndërtoi shkollën brenda varrezave.
“Kjo është pjesë varrezash, në pjesë varrezash është ndërtuar shkolla. Fajin e ka ish komuna. Sot Bashkia Kamëz as përgjigje nuk na jep”, tha Thanas Anastasi, drejtor i shkollës.
Ky problem është trajtuar disa herë, por për kryebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu, kjo mesa duket është normale. Gjatë mandatit të tij, ai është marrë me emërtime rrugësh nga të çuditshmet, por asnjëherë nuk i ka dhënë zgjidhje kësaj situate të rëndë.
Top Channel