Këtu jemi në fshatin Selitë, në rrethin e Elbasanit. Teksa futemi në fshat, një prej banorëve, Ilmi Sulën, së bashku me gruan e tij, i gjejmë duke mbjellë perime në bahçen para Shtëpisë. Në të njëjtën bahçe, Ilmiu ka varrosur prindërit e tij.
“Duke mos pasur vend, babi ma la me amanet që ta varrosja afër shtëpisë”, tha Ilmi Sula, banor i fshatit Selitë.
Kështu jetojnë shumë familje në këtë fshat: me varret e të afërmëve në oborre, në kopshte, në vreshta, në rrugicat e shtëpive e kudo tjetër. Pothuajse çdo familje ka një varrezë më vete. Për gati 20 vjet shteti ka qenë inekzistent për ti siguarar këtij komuniteti një varrezë të përbashkët.
“Nuk ka patur rregull fare për varrezat, në lagje lagje ka varreza”, “Sot gjenden më shumë se 50 varreza familjare në fshat. Secili bënte hall për vete”, thonë banorët.
Vetëm 4 vjet më parë banorët e Selitës, morën një urdhër të prerë nga shteti për ta ndaluar këtë marrëzi, u caktua kjo parcel e vogël për të gjithë fshatin, e cila gjithsesi do të mbarojë shumë shpejt. Si zgjidhje përfundimtare u vendos të rrethohej një sipërfaqe më e madhe toke shtetërore dhe të caktohej varrezë për fshatin. Por kjo tokë është shtrati i një lumi. Një vend me gure ku nuk hap dot as gropën për varr.
Banorët bëjnë thirrje për ndihmë për ti larguar varret që tashmë janë afër me shtëpitë e tyre. Ata kthejnë sytë nga shteti pasi vetë e kanë të pamundur të shpërngulin mbi 50 varreza të vogla nga çdo lagje e fshatit.
Top Channel