Pas protestave dhe negociatave të shumta, në Gjermani u vendos rritja e rrogës për shumë kategori punonjësish.

Pagat janë rritur me 8% për punonjësit në mjekësi, shkolla etj. Rreth një milion punonjës të sektorit publik në 15 lande të Gjermanisë do të kenë më së paku 240 euro bruto më shumë. Marrëveshja shmangu valën e re të grevave në kopshte për fëmijë, në shkolla dhe në fusha të tjera të sektorit publik.

Por, këto masa nuk vlejnë për landin Hessen, ku gjendet edhe qyteti i pasur Frankfurt mbi Majnë. Ky land ka dalë nga Komisioni i Landeve para 15 vitesh dhe ai zhvillon negociata të ndara me sindikatat. Kryenegociatori i landeve gjermane, senatori i Berlinit, Mathias Kolatz thotë se rritja më e re e rrogave do të kushtojë për landet rreth 7,3 miliardë euro më shumë, por landet do ta përballojnë më lehtë këtë rritje, për shkak se ajo do të jetë graduale dhe jo e përnjëhershme.

Kolatz pohon se punonjësit në këtë mënyrë do të marrin një pjesë të tortës nga zhvillimi i mirë ekonomik në Gjermani në vitet e fundit, por edhe nga paratë e mbledhura prej tatimeve. Krahas rritjes së përqindjes, parashikohet që rroga bazë e punonjësve në shërbimin e përkujdesjes të rritet për të paktën 120 euro (neto) në muaj, e mësuesve për 105 euro, ndërsa e praktikantëve për 50 euro.

Ekspertët mendojnë se kjo rritje ka të bëjë në radhë të parë me përpjekjet e autoriteteve për të shtuar atraktivitetin e këtyre profesioneve, sepse Gjermania po përballet me mungesë shumë serioze të fuqisë punëtore në disa shërbime publike.

Nga marrëveshja duhet të përfitojnë rreth 2,3 milionë punonjës të shërbimeve publike dhe ish-punonjës të cilët tani janë në pension.

Kreu i sindikatave, Franz Bsirske tha se kjo është “marrëveshja më e mirë e mundshme me landet, e arritur në vitet e fundit”. Ai pohon se kjo është një marrëveshje e mirë për punonjësit, por edhe për të gjithë qytetarët, sepse në spitale, në shërbimet e emergjencës, zjarrfikësve dhe në shërbimet tjera do të ketë më shumë para. Bsirske pohon se kjo është edhe një “ngritje spektakolare e imazhit të këtyre profesioneve”, sepse kohët e fundit shumë prej këtyre profesioneve po përballen me mungesë serioze të fuqisë punëtore, për shkak të rrogave të ulëta. Gjendja më e rëndë është në shërbimin e përkujdesjes për të moshuarit, ku kërkohet fuqi punëtore edhe nga vendet e tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA