Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan po akuzohet se po sillet si “diktator” pas kërcënimit për të hequr kryebashkiakët pro-kurdë që zgjidhen në votimet lokale të këtij muaji. Paralajmërimi i Erdoganit vjen ndërsa partia e tij AK përballet me humbje të thella në gjithë vendin.

Zoti Erdogan, duke folur para përkrahësve të tij, bëri një paralajmërim të fortë për votuesit e juglindjes me shumicë kurde në Turqi, duke thënë që nëse votojnë për kandidatët që simpatizojnë grupin separatist kurd PKK, ata që zgjidhen do të hiqen nga detyra.

“Nëse mundësitë që jep shteti, ia kaloni Kandilit (vendi ku kanë bazën udhëheqësit e PKK-së në Irakun Verior fqinj), ne do të emërojmë menjëherë dhe pa pritur aspak, të besuarit tanë”, u tha zoti Erdogan përkrahësve të tij që brohorisnin.

Paralajmërimi ka në shënjestër partinë e dytë më të madhe të opozitës në Turqi, HDP-në pro-kurde, të cilën Ankaraja e akuzon se është krahu politik i PKK-së, një akuzë që vetë forca politike e mohon.

Udhëheqja e HDP-së po u bën thirrje votuesve që të rimarrin kontrollin e qyteteve, që janë në duart e Ankarasë.

Partia pro-kurde hedh poshtë akuzat për terrorizëm kundër kandidatëve të saj.

“Nëse heqin një nga kandidatët tanë të suksesshëm, nuk është se kryebashkiakët tanë që zgjidhen janë terrorisët, por se Erdogan është diktator”, tha kreu honorifk i HDP-së, Ertugrul Kurkcu.

Ai vuri në dukje se Bordi i Lartë i Zgjedhjeve i ka verifikuar kandidatët e HDP-së dhe se çdo pretendim për shkelje nga kandidatët e saj, duhet të jenë objekt i sistemit të drejtësisë, jo presidentin.

Paralajmërimi i Erdoganit po interpretohet si përpjekje për frikësim të votuesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA