Hapësira ajrore pakistaneze mbetet e mbyllur ndërsa vendi është përfshirë në një përplasje me Indinë, duke penguar më mijëra fluturime në të gjithë botën për të dytën ditë radhazi.
Të gjitha fluturimet e brendshme dhe të jashtme në dhe nga Pakistani janë anuluar deri në një urdhër të dytë. Me mijëra njerëz ndërkohë janë bllokuar në aeroporte për shkak se Pakistani është një prej trajektoreve kryesore nga Azia Juglindore drejt Evropës.
“Thai Airways” kishte njoftuar se të gjitha fluturimet drejt Evropës janë anuluar për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Pakistanit. Të enjten në mëngjes nuk kishte fluturime të kompanisë mes Bangkokut dhe Londrës, Mynihut, Parisit, Brukselit, Milanos, Vjenës, Stokholmit, Zyrihut etj.
Vetëm pasdrekën e së enjtes kompania nisi operacionet normale drejt Evropës, duke ndryshuar trajektore dhe evituar hapësirën ajrore pakistaneze.
Edhe të tjera kompani ajrore devijuan fluturimet e tyre duke u detyruar të bëjnë edhe ndalesa shtesë për furnizim me karburant për të përfunduar udhëtimet e zgjatura për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore pakistaneze.
Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit arritën kulmin të mërkurën kur Pakistani tha se forcat e tij ajrore kishin rrëzuar dy avionë indianë mbi rajonin e diskutueshëm të Kashmirit. Një ditë më parë, India kishte kryer sulme ajrore në territor pakistanez në të parin inkursion të tillë që nga lufta Indi-Pakistan e vitit 1971.
Kryeministri pakistanez sidoqoftë, konfirmoi se do të lihet i lirë piloti indian i arrestuar, si një gjest paqeje.
Top Channel