Ministri i jashtëm i Venezuelës tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin të rrëzonin qeverinë e Nikolas Maduro dhe sugjeruan bisedime me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, një ide që administrata e këtij të fundit e refuzoi menjëherë.

Jorge Arreaza, duke iu drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, sugjeroi që Maduro dhe Trump të takoheshin për “t’u përpjekur të gjenin një bazë të përbashkët dhe të shpjegonin dallimet mes tyre”.

Ai tha gjithashtu se vendi i tij kishte humbur 30 miliardë dollarë në asete “të konfiskuara” që nga nëntori 2017-ës, për shkak të sanksioneve.

Nënpresidenti i SHBA-ve, Mike Pence përjashtoi perspektivat e bisedimeve. “E vetmja gjë për të diskutuar me Maduro në këtë pike, është koha dhe data e largimit të tij”, tha Pence në Twitter, duke shuar pa u ndezur mire, idenë e dialogut. “Për t’u kthyer demokracia dhe për të rindërtuar Venezuelën, Maduro duhet të largohet sa më shpejt”, tha Pence.

Dhjetra diplomatë, kryesisht nga vendet e Amerikës Latine, dolën jashtë ndërsa Arreaza filloi të fliste, ndërsa disa ambasadorë evropianë bojkotuan fjalimin.

Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera kanë njohur udhëheqësin e opozitës Juan Guaido si presidenti legjitim i Venezuelës, por Maduro ende kontrollon institucionet ushtarake, shtetërore dhe kompaninë e naftës Petroleos de Venezuela SA, e cila siguron 90 për qind të të ardhurave të eksportit të vendit.

Maduro gjithashtu “është gati për dialog” me opozitën venezueliane, tha Arreaza. “Ka një përpjekje nga fuqitë e jashtme për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur dhe kjo shkon kundër të gjitha rregullave të së drejtës ndërkombëtare”, tha Arreaza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA