Michael Cohen e nisi me akuza eksplozive dëshminë e tij në Kongres, kundër njeriut, interesat e të cilit i mbronte dikur. Ish avokati i Donald Trumpit tha se manjati ka qenë në dijeni të email-eve të vjedhura të demokratëve.
Sipas Cohen, Trumpi dhe këshilltari i fushatës së tij, Roger Stone, ishin në kontakt me kreun e WikiLeaks, Julian Assange, për t’i bërë publike email-et e Komitetit Kombëtar Demokrat, që do të trazonin fushaten e demokratëve.
Ai gjithashtu, nga sa deklaroi Cohen, ka qenë në dijeni, ka drejtuar dhe ka gënjyer për negociatat që kompania e tij kishte bërë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, lidhur me ndërtimin e një kulle në Moskë.
“Që të jem sa më i qartë me ju, Trump e dinte dhe ka drejtuar negociatat për Kullën Trump në Moskë, përgjatë gjithë fushatës së tij, dhe ka gënjyer hapur për këtë. Ka gënjyer, sepse nuk e priste kurrë që do të fitonte”, tha ish avokati i presidentit amerikan.
Cohen tha se është penduar për ndihmën që i ka dhënë Trumpit, të cilin e quajti racist, mashtrues e të pandershëm. Ai shtoi se ndihet i turpëruar për veprimet e tij dhe se do të ofrojë një ekspoze të brendshme të bizneseve të presidentit dhe taktikave të tij politike.
Vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kundërpërgjigj duke thënë se Cohen po gënjen me shpresën që të ulë dënimin.
Top Channel