Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong-un nisën sot takimin e tyre të nivelit të lartë.
Ata pritet të diskutojnë rrugën drejt denuklearizimit të Gadishullit Korean, në samitin dyditor që mbahet në Hanoi të Vietnamit.
Para mbajtjes së takimit me Kimin, Trump është takuar me kryeministrin vietnamez dhe politikanë të tjerë. Trump ka lavdëruar vendin pritës të samitit, në një postim në Twitter, duke thënë se “Vietnami është duke përparuar sikurse pak vende në botë. Koreja Veriore mund të jetë njësoj dhe shumë shpejt, nëse denuklarizohet”.
Takimi në Hanoi pritet të krijojë rrugën për përmbushje të zotimeve, që janë bërë në samitin e kaluar në Singapor. Në takimin e vitit të kaluar, të dy liderët janë pajtuar për të punuar drejt denuklearizimit, mirëpo pak përparim është parë në këtë proces.
Megjithatë, Trump ka thënë para takimit të së mërkurës, se nuk është duke i bërë presion Koresë Veriore për heqje dorë nga armët.
“Nuk dua t’i bëj presion askujt. Vetëm nuk dua testime. Për aq kohë sa nuk ka testime, ne jemi të lumtur”, ka thënë ai.
Uashingtoni ka thënë më parë se Koreja Veriore duhet të heqë dorë njëanshëm nga armët bërthamore, nëse dëshiron të ketë lirim nga sanksionet.
Top Channel