Të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe 40 të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të madh në stacionin kryesor hekurudhor në kryeqytetin egjiptian, Kajro.
Autoriteti kombëtar i hekurudhave tha se zjarri shpërtheu pasi një tren u përplas me platformën në stacionin Ramses, në qendër të qytetit. Depozita e karburantit të trenit raportohet të ketë shpërthyer si pasojë e përplasjes duke mbështjellë në flakë platformën dhe ndërtesat përreth.
Dhjetëra ambulanca dhe makina zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje.
Sistemi hekurudhor në Egjipt ka një rekord sigurie jo të kënaqshëm, për të cilin shumë njerëz fajësojnë investimet e munguara nga qeveritë e njëpasnjëshme por edhe shërbimet e mangëta të mirëmbajtjes.
Në gusht 2017, 43 persona humbën jetën dhe më shumë se 100 të tjerë u lënduan kur dy trena pasagjerësh u përplasën në qytetin port në Mesdhe të Aleksandrisë.
Aksidenti më vdekjeprurës hekurudhor në vend ka ndodhur në afërsi të Kajros, në 2002, kur një zjarr shpërtheu në një tren pasagjerësh të mbipopulluar duke i marrë jetën 370 personave.
Top Channel