Kardinali australian George Pell, që ka ndihmuar në zgjedhjen e Papës dhe ka menaxhuar financat e Vatikanit, është shpallur fajtor për agresion seksual mbi dy fëmijë nga një gjykatë të martën, duke u bërë kleriku katolik më i lartë që dënohet për krime të tilla në histori.
Një gjykatë australiane tha se kardinali Pell ishte fajtor për një akuzë “abuzimi seksual” dhe 4 akuza për “sjellje të papërshtatshme”, kundrejt dy fëmijëve në Katedralen e Shën Patrikut në Melburn në vitet 1990.
Pell, tani 77-vjecar, akuzohet se i kishte shtrënguar djemtë, asokohe 12 dhe 13 vjeç, të performonin një akt seksual me të. Kleriku, që ka qenë në liri me kusht, i ka mohuar akuzat dhe në një proces të mëparshëm gjyqësor, juria kishte qenë e ndarë në opinion.
Por, ai u dënua në një rigjykim më 11 dhjetor. Një urdhër i gjykatësit kishte ndaluar median të raportonte që nga maji. Urdhri u hoq gjatë leximit të vendimit të martën, kur prokurorët vendosën të tërhiqeshin nga një proces i dytë, në lidhje me akuza të tjera ndaj kardinalit.
Një seancë tjetër është përcaktuar për të mërkurën, para dhënies së vendimit përfundimtar, pas të cilës Pell pritet të dërgohet në qeli.
Top Channel