Karnavalet e Venecias, një nga ngjarjet më të famshme në botë kanë nisur me një paradë në kostume historike, në sheshin e Shën Markut. Siç nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër, dy gra janë zgjedhur për fluturimin e famshëm të engjëllit, që u jep jetë karnavaleve.
Përveç Marisë tradicionale, që bën fluturimin e përvitshëm të engjëllit, këtë vit organizatorët ranë dakord të lejojnë edhe një grua të dytë të fluturojë, e zgjodhën Micol Rossin të prekur nga sindroma “Crohn”.
“Duhet ta pranoj që kam qenë pak e frikësuar për këtë fluturim. Por, pasi u ngjita atje lart, pashë të gjithë këta njerëz, sheshin, të gjithë qytetin që unë e dua, e kuptova se isha e bekuar”, tha Erika Chia, Maria e karnavaleve të Venecias.
“Ishte një emocion unik të shihja të gjithë qytetin e Venecias nga lart, është më i bukuri në botë. E pashë nga një tjetër perspektivë. Unë fluturova mbi qytet dhe e bëra këtë për shumë njerëz që vuajnë nga e njëjta sëmundje me mua”, tha Micol Rossi, engjëlli luftëtar.
Karnavalet e Venecias, të famshme në të gjithë botën, tërheqin një pafundësi turistësh nga Italia dhe vende të tjera të botës, e janë të njohura mbi të gjitha për maskat e rralla e shumëngjyrëshe që përdoren në shfaqje.
Top Channel