Presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, apel ndërkombëtarëve: Merrni masa për rrëzimin e Maduros

24/02/2019 22:10

Lideri i opozitës në Venezuelë dhe njëkohësisht presidenti i vetëshpallur i vendit, Juan Guaido u ka bërë thirrje vendeve të tjera të marrin në konsideratë të gjitha masat e mundshme për rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro.

Presioni ndërkombëtar mbi presidentin venezuelian sa vjen e shtohet, sidomos pasi përpjekjet e opozitës për të futur në vend ndihmat humanitare, përfunduan të shtunën me dhunë e gjakderdhje.

Të paktën dy vetë, një prej të cilëve një djalë 14-vjeçar, humbën jetën gjatë përplasjeve mes civilëve dhe trupave besnike ndaj kreut të shtetit. Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i dënoi ngjarjet e dhunshme, duke ua faturuar atyre që i quajti “banditët e tiranit të sëmurë Maduro”, e tha se Amerika është e përgatitur për veprim.

Presidenti Donald Trump është shprehur gjithashtu se Uashingtoni nuk e përjashton mundësinë e një përgjigjeje të armatosur, ndërsa të hënën, numri dy i administratës amerikane, Mike Pence, ka planifikuar një takim me Guaidon në Kolumbi.

Një ditë më parë, lideri venezuelian Nicolas Maduro ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Kolumbinë e urdhëroi trupat ushtarake të bllokonin kalimin e kamionëve me ndihma humanitare, duke përdorur gaz lotsjellës e plumba gome.

Maduro vazhdon t’i kundërshtojë deklaratat se në vend ka mungesë ushqimi dhe ilaçesh, e pretendon se kriza po sajohet vetëm për të sulmuar qeverisjen e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA