Në Parkun e Liqenit të Vaqarrit janë mbjellë rreth 10 mije fidane pishash të reja. Dhjetëra vullnetarë dhe punonjës të institucioneve të varësisë së Bashkisë së Tiranës iu bashkuan aksionit për mbjelljen e fidanëve të rinj. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj tha duhen rikuperuar sipërfaqet e gjelbra, të cilat janë dëmtuar në vite nga dora e njeriut.
“Jemi në një zonë, e cila në fund të viteve ‘90 ishte e gjitha e gjelbëruar, plot me pisha e dafina. Tani kemi dy mundësi, o të vajtojmë të mirat që kishim dhe i prishëm vetë, ose të themi: sot është dita të fillojmë rikuperimin dhe të kemi një ofensivë të së mirës ndaj së keqes, të gjelbërimit ndaj atyre që abuzojnë e që presin pyjet. Kemi arritur një nivel emancipimi, ku sot duhet t’i kthejmë reston natyrës, jo vetëm se kjo është gjëja e drejtë për të bërë për mjedisin, por mbi të gjitha është e drejtë për fëmijët”, tha Veliaj.
Veliaj tha se në parkun e Vaqarrit do të mbillen gjatë këtij viti 50 mijë fidanë të rinj, duke shndërruar ate në një destinacion te ri argëtimi per kryeqytetin.
“Në total do të kemi 30 mijë pisha dhe 20 mijë dafina. Sot kemi vetëm lotin e parë. Jam i bindur se nëse vazhdojmë me këtë ritëm çdo vit, do kemi mundësi jo vetëm të rikuperojmë ç’kemi humbur, por do kemi mundësi t’i lëmë një pajë gjeneratës tjetër që dallon nga paja që na u trashëgua nga prindërit tanë në vitet ’90, ku çdo gjë publike konsiderohej pa zot, prerja e druve u kthye në modë dhe hedhja e plehrave dokudo ishte një lloj norme”, u shpreh Veliaj.
Sipas Veliajt, bashkia synon qe Bashkisë së Tiranës është që deri në përfundim të sezonit të mbjelljeve, kryeqytetit t’i shtohen mbi 100 mijë pemë.
“Sot, të mbjellësh është modë, sot të pastrosh është trendi, sot standardi ynë i ri është një qytet i pastër, ndaj jam shumë i lumtur që kemi filluar këtë ofensivë, por duhet ta mbajmë çdo vit. Në dy vitet e para me 200 mijë pemë, kemi kapur 10% të ambicies sonë për pyllin orbital, ama na duhet ta vazhdojmë këtë deri në vitin 2030, që të paktën Tirana të dalë barazim me natyrën, e më pas të dalë plus” , shtoi kryebashkiaku.
Ai theksoi se standardi i vendosur është një qytet i pastër, ndërsa ftoi edhe qytetarët që t’i bashkohen këtij koalicioni. Pylli Orbital, i njohur ndryshe edhe si unaza e 5-të e Tiranës, do të çojë në mbjelljen e një muri të gjelbërt me 2 milion pemë duke lidhur 14671 hektarë parqe, fusha bujqësore, pyje dhe forma të tjera të vegjetacionit rreth qytetit.
Top Channel