Trupat izraelite vranë një të ri palestinez dhe plagosën rreth 40 të tjerë në protestën e kësaj të premteje në Bregun Perëndimor, raportuan zyrtarët shëndetësorë të Gazës.
Ushtria e Izraelit tha se veproi kundër protestuesve, disa prej të cilëve u përpoqën të hedhin granata dhe mjete shpërthyese në Izrael, nga Rripi e Gazës, një territor i kontrolluar nga grupi islamik Hamas.
Më shumë se 220 palestinezë janë vrarë nga trupat izraelite që nga fillimi i demonstrimeve javore në kufi, në muajin mars 2018, dhe mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa nga ana tjetër vetëm një ushtar izraelit u vra nga një snajper palestinez.
Të quajtur Marshi i Madh i Kthimit, protestat bëjnë thirrje për të drejtën e kthimit në tokat nga të cilat paraardhësit e tyre ikën ose u detyruan të iknin në vitin 1948 gjatë themelimit të Izraelit.
Protestuesit po bëjnë thirrje gjithashtu për t’i dhënë fund një blloku të ashpër izraelit të Gazës, ndërsa në marshimin e kësaj të premteje morën pjesë sërish më tepër se 10 mijë demonstrues.
Ministria e shëndetësisë e Gazës tha se një djalë 15-vjeçar vdiq pasi u qëllua me armë zjarri nga ushtria izraelite. Një zëdhënëse e ushtrisë izraelite tha se ushtarët kishin përdorur “mjetet e shpërndarjes së trazirave” dhe hapën zjarr “në përputhje me procedurat standarde të operimit”.
Top Channel