Jeta mbi një karrocë me rrota nuk është aspak e lehtë për Adivijen. Ajo është një vajzë e re tepër kurajoze dhe nuk dorëzohet lehtë, po barrierat e shumta që has, e bëjnë atë dhe personat e tjerë me aftësi të kufizuara të jenë plotësisht të varur nga të tjerët, veçanërisht nga familja.

“Për momentin, institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët janë problem kryesor, pasi ne ndjehemi të përjashtuar nga këto shërbime. Bashkia, prefektura, teatri, godinat arsimore… Shkollat ekzistuese nuk e kanë aksesueshmërinë e duhur. Transporti urban është një tjetër problem, pasi është i paaksessueshëm nga ne. Po dhe kur ndodh që autobusët të kenë akses, shërbimi nuk ofrohet nga papërgjegjshmëria e drejtuesve të tyre, pavarësisht lehtësirave që u njeh ligji, 10% më pak taksa për shërbimet që ofrojnë për personat me aftësi të kufizuara”, thotë Adivija.

Jo vetëm transporti publik. Edhe ai taksi nuk ofron akses për ta. Transporti hekurudhor gjithashtu. Një person në karrocë me rrota nuk ka akses as për të tërhequr paratë e veta në bankomatet të cilat janë vendosur në lartësi të paarritshme për ta. Ndaj Adivijen e gjen gjithnjë në mbrojtje të të drejtave të saj dhe të personave para dhe tetraplegjikë, shoqatën e të cilëve drejton prej disa vitesh në qytetin e Durrësit.

“Në të shumtën e rasteve nuk lëvizin pasi privohen vetëm nga mungesa e aksesueshmërisë. Aftësinë ma kufizon ambienti ku unë lëviz, jetoj. Barrierat që ekzistojnë në rrugë, infrastrukturë e gjithandej më kufizojnë mua. Me të vërtetë po bëhet diçka në rrugë, po rampat duhet të jenë në standardet e duhura”, thekson Adivija.

Mimoza është gjithnjë pas një karroce. Ajo tregon se shpesh edhe rampat ekzistuese nuk janë në pjerrësinë e duhur. Sot, nuk ia doli dot ta ngjisë karrocën e djalit të saj Robertit 32-vjeçar në rampën e institucionit kulturor në qendër të qytetit të Durrësit. Dhe jo vetëm këtu. Poliklinika e Specialiteteve Shëndetësore është një tjetër problem për të.

Adivija, Roberti dhe shumë të tjerë po ngrenë zërin për rritjen e aksesueshmërisë në Bashkinë Durrës, përmes përshtatjes arkitektonike të godinave publike dhe atyre të banimit, si dhe infrastrukturës rrugore, arsimore e shëndetësore, për të lehtësuar lëvizjet dhe marrjen e shërbimeve dhe nga personat me aftësi të kufizuara.

Nuk ka shërbime pa aksesueshmëri. Ne jemi të përjashtuar nga shoqëria prandaj ne po e ngrejmë zërin për ta bërë qytetin të aksesueshëm për të gjithë.

Sipas INSTAT, në territorin e Bashkisë Durrës ka 11 883 persona me aftësi të kufizuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA