Fshati Metoh i Mallakastrës vuan prej vitesh për rrugë, në këtë fshat jetojnë rreth 200 familje të cilat e kanë të pamundur të çojnë prodhimet e tyre në qytetin e Ballshit për shkak të mungesës së rrugës. Ndërkohë fëmijët e këtij fshati duhet të kalojnë mbi një urë pasarelë për të arritur në shkollë, e cila është thuajse e pakalueshme.
Fiks Fare udhëtoi drejt këtij fshati i cili është gati 18 km larg qytetit të Mallakastrës. Banorët tregojnë për Fiksin se të sëmurët i transportojnë me barrela e batanije drejt qytetit. As prodhimet nuk i çojnë dot në Ballsh t’i shesin, duke mbetur kështu të izoluar. ” Një banor para 2 javësh donte të çonte të shiste 50 kokrra vezë në Ballsh, por kur mbërriti në qytet pa se 30 prej tyre i ishin thyer dhe u kthye në shtëpi” thotë njëri prej banorëve.
E vetmja gjë që duan këta banorë është rruga për t’i lidhur me qytetin, “duam vetëm rrugë, ne jemi punëtorë e i prodhojmë të gjitha gjërat vetë” thonë banorët.
Por problemin kryesor e kanë fëmijët e këtij fshati që për të shkuar në shkollë duhet të kalojnë mbi një urë pasarelë me dërrasa gjysmë të kalbura e cila rrezikon jetën e tyre. Fëmijët ecin në këmbë 2 orë çdo ditë. Ata tregojnë për Fiks Fare se duhet patjetër dikush t’i shoqërojë kur kalojnë mbi urë, pasi kanë frikë se bien në lumë. ” Unë kam rënë njëherë nga ura dhe vrava këmbën, erdhi më mori babi, kemi frikë të kalojmë pa shoqërues” thotë një vajzë 10 vjeç.
Fiksi pyeti edhe në Bashkinë Mallakastër nëse janë në dijeni të fshatit të izoluar. Vetë kryetari i bashkisë Agron Kapllanaj pohon se është miratuar projekti për rrugën duke përfshirë edhe urën. Madje ai shprehet për Fiks Fare se projekti pritet të nisi nga dita në ditë. Pyetjes së gazetares se mos ky investim ka të bëjë me afrimin e zgjedhjeve ai e mohon , por si shkak thotë se bashkia ka pasur të tjera emergjenca edhe më të mëdha. Ajo që i bëri çudi grupi të xhirimit të Fiks Fare ishte një tabele ku shkruhej emri i rrugës,e cila mbante emrin e kryetarit të bashkisë. I pyetur për këtë gjë ai thotë se e kanë vendosur vetë banorët kur kryetari e ka hapur si trase ” kam dërguar edhe policinë bashkiake ta heq, por banori që e ka venë ka thënë do ta vë në bahçen time” përfundon kryetari Kapllanaj.
Top Channel