Grupi i ngarkuar për të siguruar thesarin e shtetit dhe tunelin e Krrabës e ka marrë këtë objekt në dorëzim me procesverbal në datën 27/02/1997. 5 ditë më pas, në datën 2/3/1997 kuvendi shpalli gjendja e jashtëzakonshme. Shqipëria ishte në mosbindje civile.

Dy javë më pas, më 13 mars 1997 populli shpërthen depot e armatimve në të gjithë vendin. Në këtë datë sulmohet edhe tuneli i Krrabës, ku mbahej floriri shqiptar.

Në atë kohë turma të zemëruara u sulën me dhunë sidomos mbi objektet ushtarake.

Pranë tuneleve të Krrabës, ishin të vendosura edhe zyrat e Ministrisë së Brendshme ku ruhej një pjesë e arkivës së kësaj ministrie. Ato u sulmuan të parat.

“Morën krevatë aty, morën sustat, e asaj kohe, të Lenka Çukës apo të Beqir Ballukut. Aty kanë qenë mbi dyqind zyra. kanë qenë të gjitha me skemë metalike. Ato i kam parë vetë unë”, tha Fiqeret Filja, banor i Krrabës.

çuditërisht në këtë ditë tunelet ku ishte thesari i shtetit, ishin të pambrojtura.

“Aty vetëm një tunel nuk u hap. Ai ishte komplet i derdhur në plumb, portat e atyre ishte sa të hynte kamioni brenda, por ai ishte me çels me numrator. Duhej ti bije numrit për ta hapur. Pra ishte një sekret i madh. Dhe atë nuk e hapi dot populli. Ka qenë tuneli i thesarit. Ai nuk u hap nga banorët e Krrabës”, tha Fiqeret Filja, banor i Krrabës.

“Ata morën florinj dhe ikën. Po i morën tjetër kush. Nuk mori gjë fshati. Fshati kishte frikë”, tha Skënder Sallaku banor i Krrabës.

Pra sipas banorëve të zonës, që i kanë parë më sytë e tyre ato ngjarje, populli nuk ka mundur të hyjë në tunelin e thesarit. Atëherë ato qindra kilogram florinj, duhet të jenë nxjerrë që aty, nga njerëz që kanë pasur çelsat e tunelit.

“Tuneli është hapur. Pra nuk është hyrë nga tavani. është hyrë nga dera kryesore. Pra sasia më e madhe, pjesa e luanit, që ka qenë aty, nuk është marrë nga fshatarët e zonës, por është marrë nga njerëz me pushtet të cilët kanë pasur aksesin të hapnin lirisht tunelin dhe të largoheshin pastaj”, tha Artan Hoxha.

Në dosjen hetimore, tregohet se në datën 13 mars 1997, kohë kur ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme, objekti “Lumi” ku ruhej thesari i shtetit ishte tërësisht i pambrojtur me roje.

I njoftuar për këtë ngjarjeve tre ditë më vonë, grupi i Ministrisë së Brendshme ka shkuar ne objektin “Lumi” për kontroll, dhe aty ka konstatuar vetem demtimet fizike të ndodhura në dyert e jashtme të thesarit të shtetit. Vetë grupi nuk ka hyrë brenda në tunel, dhe nuk ka bërë inventarin fizik të thesarit. Është mjaftuar vetëm më një vëzhgim nga jasht dhe më pas kanë vendosur mina në hyrje të tunelit.

40 mijë monedha ari u zhdukën pa lënë gjurmë për të mos u gjetur kurrë.

Disa dyshime ngrihen nga banorët e zonës në këtë drejtim. Ata kanë frikë të flasin hapur, por shprehen se pas pak muajsh, pas sulmeve të marsit 1997, tek Tuneli i Krrabës ulej dhe ngrihej vazhdimisht një helikopter.

“E kam parë helikopterin, jo njëherë por shumë herë, u ngrinte u ulte matan Lumit, në orë të veçanta por nuk zgjati shumë, rreth tre muaj dhe nuk u mor më njeri me këtë pjesë”, tha Fiqeri Filja, banor i Krrabës.

Çfarë bënte ky elikopter në këtë vend ndërkohë që akoma zyrtarisht thesari nuk ishte deklaruar i vjedhur? Këtë askush nuk di ta thotë. Kjo është një nga enigmat që do ti ngelen gjithmonë kësaj historie. Por ka edhe shumë pyetje të tjera që kanë ngelur pa përgjigje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA