Katër nga ministrat e lartë të qeverisë britanike të drejtuar nga Theresa May, i kanë kërkuar asaj të ndalë përdorimin e kërcënimit me një Brexit pa marrëveshje, në negociatat e divorcit me Bashkimin Evropian, njoftoi të hënën gazeta The Guardian.

Ministri i drejtësisë David Gauke, ministri i pensioneve Amber Rudd, ministri i biznesit Greg Clark dhe ministri i Skocisë David Mundell, e bënë kërkesën në një takim të hënën, përpara vizitës së pritshme të May në Bruksel, për bisedime të mëtejshme.

Kryeministrja britanike dhe Bashkimi Europian arritën një marrëveshje në muajin Nëntor të vitit të kaluar, por drafti u rrëzua nga parlamenti britanik, që kundërshtoi ashpër çështjen e “back stop”-it irlandez.

May ka marrë një tjetër votëbesim nga qeveria britanike, por këtë herë me kërkesën për të rinegociuar marrëveshjen e Brexit-it, ndërsa palët janë në luftë me kohën, pasi Britania duhet të lërë BE-në më 29 Mars.

Kryeministrja britanike ishte para disa ditësh në Bruksel, duke u parashtruar kërkesën e saj për ndryshim të marrëveshjes, liderëve të unionit europian, por do të rikthehet atje sërish të mërkurën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA