Mbeten në burg 5 protestues. Pas protestës së të shtunës u ndaluan 19 persona

19/02/2019 19:58

Në praninë e shtuar të policisë dhe të të afërmve që i prisnin jashtë gjykatës, të arrestuarit e protestës së 16 shkurtit dolën para gjyqtares penale pasi akuzohen të kenë shkatërruar Kryeministrinë, të kenë prishur qetësinë dhe të kenë kundërshtuar policinë.

Gjyqtarja Rexhina Merlika e konsideroi të ligjshëm prangosjen pas protestës së 19 protestuesve, por rrëzoi kërkesat e prokurorisë, e cila më herët kërkoi të vendoseshin 14 masa arresti me burg.

Gjyqtarja la në burg 5 nga protestuesit, mes tyre edhe Florenc Hoxhën, për 8 të tjerë urdhëroi arrestin shtëpiak dhe 6 do t’i nënshtrohen detyrimit me paraqitje.

Prokuroria thotë se protestuesit dëmtuan hyrjen e Kryeministrisë dhe kërpudhën, por përfaqësuesit e opozitës që monitoruan procesin, e konsideruan politik.

“A keni dëgjuar për agjitacion-propagandën? Edhe për ju që nuk e keni dëgjuar, kjo ishte”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Ndërsa Edmond Spaho u shpreh: “Disa nga të pandehurit kërkuan që të lirohen se duan të dalin në protestë të enjten. U bëj thirrje qytetarëve që të jenë edhe më të shumtë të enjten”.

Deputeti Ervin Salianji përshkroi profilin e secilit nga protestuesit e arrestuar: “Një zonjë nga Korça e cila është jetime; një familjare e ve nga Shkodra e papunë; një qytetar që ndihmoi një gazetar kur i ra të fikët dhe e tërhoqi nga skela; një tjetër që ndihmoi një të moshuar; një person i arrestuar ishte me të meta mendore… Të gjithë të tjerët janë prindër të 3-4 fëmijëve që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë”.

Avokatët pohojnë se vendimi i gjykatës do të apelohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA