Një takim i krerëve të Europës Qendrore në Izrael është anuluar, për shkak të një përplasjeje mes vendit hebre dhe Polonisë në lidhje me holokaustin.

Polonia u tërhoq, pasi u zemërua nga komentet e krerëve izraelitë në lidhje me bashkëpunimin polak në holokaust.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Izraelit, Jisrael Katz përdori frazën “polakët e kanë thithur antisemitizmin me qumështin e nënave të tyre”.

“Komentet e Kats ishin raciste dhe të papranueshme”, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

“Nisur nga të gjitha këto, mora vendimin të anuloj praninë e delegacionit polak, në takimin që do të mbahet në Izrael”, tha Mateusz Morawiecki.

Më herët, edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte thënë se polakët kanë bashkëpunuar me gjermanët gjatë holokaustit. Qeveria polake thotë se, tërheqja është një sinjal i qartë për qeveritë e tjera dhe opinionin ndërkombëtar se, e vërteta historike është thelbësore.

Takimi që do të organizohej në Izrael do të mblidhte 4 vendet e grupit të Vishegradit; Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë dhe Sllovakinë. Por, të hënën, Izraeli tha se 3 kryeministrat që do të merrnin pjesë, pa Poloninë, do të zhvillonin takime dypalëshe me Netanyahun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA