Zona naftëmbajtëse e Marinzës është në gjendje alarmante, sa i përket ndotjes së mjedisit nga gazi dhe mbetjet hidrokarbure.
Pjesa më e madhe e banorëve të kësaj zone vuajnë nga karboni në gjak. Uji i pijshëm nuk mund të konsumohet për shkak të nëntokës së ndotur.
Tokat bujqësore janë thuajse të papunuara, pasi kulturat bujqësore nuk zhvillohen si pasojë e ndotjes së madhe nga gazi dhe mbetjet e naftës.
Drejtues dhe specialistë të Bashkisë së Roskovecit, por edhe ekspertë të kompanisë “Albpetrol” do të ngrenë një grup të përbashkët pune për të vepruar menjëherë në vendet me ndotjen më të lartë.
Sipas kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, problematike janë mbetjet hidrokarbure që derdhen nga kompania “Albpetrol”, ndërsa kompania “Bankers”, sipas saj i pastron rregullisht mbetjet hidrokarbure në zonat ku ushtron aktivitetin e saj.
Në të njëjtën situatë të rëndë nga mbetjet hidrokarbure ndodhen edhe fshatrat Belinë, Jagodinë e Zharrës, si dhe të gjitha fshatrat në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.
Top Channel