Policia e Shtetit ka reaguar sot për protestën e opozitës. Në një deklaratë për mediat bën të ditur se persona me rekorde kriminale do të marrin pjesë të shtunën në këtë tubim për të ushtruar akte dhune.
Sipas informacioneve të policisë, këta individë të dënuar për vepra penale po përgatiten për të qenë pjesë e akteve të dhunshme në tubimin e thirrur nga opozita.
Njoftimi i plotë
Policia e Shtetit është e angazhuar tërësisht për marrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës së njoftuar nga subjektet politike të opozitës, për datën 16 shkurt 2019, si një detyrim ligjor dhe i natyrshëm i saj, për mbështetjen e të drejtës së organizmit dhe protestave paqësore të qytetarëve.
Policia e Shtetit është përballur edhe me disa kërkesa të pamundura të Partisë Demokratike, ku njoftohet synimi për të bllokuar rrugë apo mjedise të caktuara, që janë me rëndësi të veçantë për funksionimin normal të jetës publike në kryeqytet, si dhe për veprimtarinë e pacënuar të disa misioneve të huaja diplomatike.
Garantimi i lirisë së veprimtarisë, të lëvizjes dhe të qasjes së papenguar në mjediset e misioneve diplomatike dhe në disa institucione të rëndësishme shtetërore, e bëjnë të pamundur lejimin e protestës së opozitës në rrugën “Ismail Qemali”.
Njoftimi i plotë
Por nga ana e Policisë së Shtetit dhe e autoriteteve vendore policore të Tiranës janë mundësuar mjedise të mjaftueshme si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili është shfrytëzuar historikisht për qëllime të tilla dhe që ofron hapësira të mjaftueshme edhe për pjesëmarrje masive.
Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike.
Në interes të mbarëvajtjes së protestës dhe të sigurisë së pjesëmarrësve në të, dhe të qytetarëve të tjerë, Policia e Shtetit ri-përsërit thirrjen drejtuar organizatorëve, që të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë, si dhe nga personat me rekorde të rënda kriminale.
Për qytetarët që nuk janë pjesë e protestës bëhet thirrje që të shmangin sa të jetë e mundur mjediset, ku ajo do të zhvillohet.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve përgjatë kontrolleve të shtuara, që ajo është e detyruar të zhvillojë në disa akse kryesore rrugore dhe në mjedise të tjera me rëndësi, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe të vetë protestës.
Ftohen të gjithë qytetarët që kanë informacione me rëndësi, të kontaktojnë në anonimat në numrin e telefonit pa pagesë 112, ose në Komisariatin Dixhital!
Top Channel