Opozita në Shqipëri ka paralajmëruar të shtunën një protestë masive në Tiranë me sloganin ”Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur”, me protestues nga i gjithë vendi.

Sipas pohimeve publike pritshmëritë e opozitës nga rezultati i protestës janë largimi i kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie kalimtare që “do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Sipas Deutsche Welle, Policia e Shtetit ka informacione që në protestë do të marrin pjesë edhe individë që mund të kryejnë akte dhune. Në këtë kontekst vëmendja e BE dhe e faktorit ndërkombëtar në Shqipëri që protesta të jetë paqësore është maksimale.

Soreca, thirrje për të gjitha palët e përfshira

Deutsche Welle në Tiranë pyeti Ambasadorin e Delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca, për domethënien e protestës dhe mesazhin e tij, në prag të zhvillimit të saj. “Ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike. Por është gjithashtu e vërtetë që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. Prandaj, presim një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë. Kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë konstruktivë. Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve.” theksoi ambasadori Soreca.

Ai i tha DW se “nga deklaratat më të fundit të organizatorëve, kuptohet që ata duan të sigurojnë që do të marrin të gjitha masat për të bërë të mundur që siguria e qytetarëve të përfshirë të jetë e garantuar. Ky është lajm i mirë dhe shpresoj që të gjitha palët e përfshira do ta respektojnë”.

Flisni pa dhunë, mesazhi juaj do të dëgjohet

Thirrja e BE për të shmangur incidentet e dhunës në protestën e të shtunës (16.02.) vjen kur opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, rënien e qeverisë së tij, formimin e një qeverie kalimtare me akademikë, për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas opozitës qeveria Rama nuk mund t’i garantojë. Opozita akuzon qeverinë Rama se është e lidhur me krimin dhe ka fituar mandatin e saj të dytë, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, me vota të vjedhura në Dibër, Lezhë, Durrës dhe Kavajë, bazuar në përgjimet e publikuara telefonike të prokurorisë. I pyetur nga DW për gjasat që palët të bëjnë ҫmos për të shmangur dhunën, ambasadori Soreca theksoi: “Mendoj që të gjithë e duan Shqipërinë dhe të ardhmen. Dhuna nuk do t’i lejojë ata që dëshirojnë të flasin që zëri i tyre të dëgjohet. Dhuna nuk ndihmon në përçimin e mesazhit. Ndaj thirrja ime është për ta: Flisni pa dhunë dhe mesazhi juaj do të dëgjohet.”

Masa të rrepta për shmangien e destabilitetit

Për të shmangur dhunën dhe destabilitetin e vendit, si pasojë e saj, policia është ngritur në këmbë. Albert Dervishaj, Drejtori i Rendit, në Policinë e Shtetit, u bëri një apel publik protestuesve që të ruajnë gjakftohtësinë gjatë zhvillimit të protestës. “Policia e Shtetit është duke u organizuar për mbarëvajtjen e tubimit duke bashkëpunuar me struktura brenda dhe jashtë vendit, me misionet policore të BE që janë në Shqipëri, me të cilat shkëmbejmë informacione. Ka indicie që individë të veçantë mund të tentojnë të kryejnë akte dhune. Thirrja ime si zyrtar i policisë është që secila palë të ruajë gjakftohtësinë. Policia do përpiqet të jetë garante e sigurisë. Nëse protesta përshkallëzohet do të veprohet në bazë të ligjit.”

Shqetësimi për shkarje të situatës drejt destabilitetit është i bazuar në precedentë të trazirave dhe dhunës në protestat e opozitës së djathtë në 1998 dhe asaj të majtë në vitin 2011, ku u vranë 4 protestues që nuk kishin armë. Prandaj protesta e 16 shkurtit do të jetë një test për shpresat e zgjedhjeve të qershorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA