“Top Story” ka siguruar dëshminë tronditëse të një gruaje, bashkëshorti i së cilës, Shahin Peti, ka humbur jetën në një galeri të “Zonës D” në gusht të vitit 2013. Kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur.

“Për familjen time ka qenë një tmerr. Ai u nis për punë, turn i dytë. Ai ishte vrarë që në dy e gjysmë të drekës kur kishte shkuar, por në 6 e gjysmë e morëm vesh ne. Shkuam te spitali, se thoshin ‘ka vrarë këmbën’, por kur shkuam kishte mbaruar gjithçka”, rrëfen për “Top Story”-n Margarita Peti, bashkëshorte e Shahin Petit.

Familja u njoftua shumë vonë, pasi po përgatitej skenari për të hedhur trupin jashtë minierës, në mënyrë që mos të trajtohej si aksident në galeri.

“Nuk donin të dilte si aksident. Kanë dashur ta hedhin si kufomë në rrugë, donin ta fshihnin ngjarjen. Kjo kishte qenë e gjitha, ta mbulojnë, një shok i vëllait tim ka marrë vëllain, i tha ‘të është vrarë dhëndri’, i tha ‘shiko se çfarë duan të bëjnë’”, rrëfen për “Top Story”-n Margarita Peti.

Skenari ishte pothuajse horror. Mjeti me trupin e pajetë të viktimës 32-vjeçar është parë të qarkullojë jashtë zonës së minierës, përpara se ngjarja të raportohej.

“E kanë transportuar në të gjithë qytetin e ri kufomën, që të gjejnë vend ta hedhin, të zhdukin kufomën sikur nuk ka qenë në punë fare”, rrëfen për “Top Story”-n Margarita Peti.

Margarita tregon se, në familjen e saj mbërriti edhe një person, përfaqësues i kompanisë ku punonte i ndjeri. Ai ka kërkuar nga ata të mbyllin gojën dhe ka lënë një shumë parash prej 1.5 milionë lekësh.

“Kryeosja ka thënë mos zini emrin tim fare. Firma që ka pas punuar në zonën D”, rrëfen Margarita Peti për “Top Story”-n.

Margarita e di se kush është pronari i galerisë, por frika për fëmijët e ka bërë të heshtë. Sot e kësaj dite nuk ka asnjë fajtor për ngjarjen e rëndë, madje në raportimet e kohës është thënë se, aksidenti ka ndodhur në një galeri pa pronar.

“As nuk është përmendur fare kjo galeri, se është vrarë… As policia s’ka ndërhyrë fare. S’ka pasur polic të vijë të thotë çfarë u bë. Ka qenë një shok pune i tij, po s’tregon njeri…”, rrëfen ajo për “Top Story”-n.

Sipas bashkëshortes, Shahini ka qenë i pasiguruar, ndaj kompania ku ai punonte fshehu ngjarjen. Njësoj si 32-vjeçari, shumë minatorë punojnë në miniera duke qenë të ekspozuar ndaj të njëjtit rrezik.

Sot, Margarita ka ndjekur profesionin e bashkëshortit të ndjerë. Ajo punon në minierë si seleksionuese dhe paguhet vetëm 20 mijë lekë në muaj.

“Duan të kenë krah babin e vet, sepse me një prind është…kushtet nuk plotëson, kur bien hallet e mëdha kërkohet i zoti i shtëpisë. Të ardhurat nuk dalin se me 200 mijë që marr unë nuk dalin, 70 mijë fëmijët pension”, rrëfen për “Top Story”-n Margarita Peti, bashkëshorte e Shahin Petit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA