Bashkia e Tiranës është duke investuar edhe në periferi të Tiranës së madhe.
Zona e njohur si Përroi i Gjerozës në Qesarakë është rehabilituar duke u shndërruar nga një zonë e degraduar në një hapësirë me lulishte dhe kënd lojrash.
“Kur më kujtohet se si Përroi i Gjerozës ka qenë në fakt një landfill urban, ku të gjitha plehrat që vinin nga pallatet derdheshin në përrua, sot përroi kalon poshtë sheshit dhe sipër kemi fituar hapësirë, e cila përdoret sigurisht edhe për kalimin e makinave, por kryesisht është një hapësirë cilësore, dinjitoze, e gjelbër, me kënde lojrash. Këtu komuniteti mund të kalojë kohë të lirë, të shkëmbejë energji me njëri-tjetrin, ku mund të shihemi dhe të ruajmë atë që është intimiteti i lagjes”, tha Veliaj.
Ndërtimi i këndeve të lodrave edhe në periferi ka qenë një premtim i kryetarit të bashkisë: “Besoj e kemi mbajtur një premtim, që nga dita e parë, se çdo muaj do të kishim nga një kënd lojrash: kemi kaluar 40 muaj dhe kemi ndërtuar mbi 40 kënde lojërash në Tiranë. Po mobilizohemi që mandatin tjetër të kemi edhe më shumë kënde lojrash, edhe mikro-hapësira mes pallateve”.
Veliaj u kërkoi qytetarëve të kësaj zone të mirëmbajnë investimin e e bërë nga bashkia.
Top Channel