Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e ministres së Drejtësisë për të kryer hetimin disiplinor të trupës gjyqësore që gjykoi Dritan Dajtin.

Sipas KLGJ-së, këta gjyqtarë kanë kryer shkelje të rënda profesionale dhe etike, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Për këtë shkak është kërkuar edhe marrja e masës së shkarkimit nga detyra.

KLGJ, në një deklaratë për shtyp informoi se, pasi mori në shqyrtim këtë kërkesë do ta trajtojë me paanshmëri dhe profesionalizëm.

Këshilli do të bëjë vlerësimin e duhur në përputhje me kuadrin ligjor dhe do të ndërmarrë çdo veprim në respektim të ligjit.

Kërkesa e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, iu drejtua më herët Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit, me kërkesë zyrtare për gjyqtarët Skënder Damini, Petrit Aliu, si dhe Aleks Nikolti.

Tre gjyqtarët pranuan një kërkesë për gjykim të shkurtuar, në kushtet kur kjo kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte paraqitur jashtë afateve të parashikuara nga ligji.

Në kërkesën e saj, ministrja e Drejtësisë konkludonte se, “mbajtur në konsideratë të numrit të lartë të seancave gjyqësore në Shkallën e Parë dhe më tej, si dhe sagën e proceseve gjyqësore për një periudhë pothuajse 10-vjeçare, të cilat kanë vendosur burgimin e përjetshëm, nuk justifikojnë vendimmarrjen për gjykimin e shkurtuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA