Pas një incidenti të ndodhur një ditë më parë në Shërbimin Infektiv në QSUT, ku një mjek është dhunuar fizikisht, mjekë të njohur të këtij shërbimi kanë protestuar duke i kërkuar Drejtorisë së QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të krijojnë kushte të qeta puna dhe më shumë siguri për ta, pasi rastet janë të përsëritura.

“Ne kërkojmë nga administrata e QSUT-së dhe Ministria e Shëndetësisë të bëjnë të mundur që i gjithë personeli mjekësor i Shërbimit Infektiv, sidomos ai i Urgjencës, por edhe i QSUT-së, të ketë një ambient pune të qetë dhe të sigurtë. Ambient i qetë pune do të thotë pajisja e shërbimeve dhe repartit me roje sigurie me kompetenca dhe aftësi profesionale, që të bëjnë të mundur parandalimin apo minimizimin e akteve të tilla”, tha Arjan Harxhi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Infektivologjisë.

Mjekët kërkojnë që agresorët në raste të tilla të marrin dënim maksimal, siç dhe e parashikon Kodi Penal për goditjen për shkak të detyrës. Por, nga ana tjetër, ata thonë se për shkak të mungesës së mjekëve, përballojnë situata të rënda dhe ngarkesë pune mbi kapacitetin.

“Ambient i qetë dhe i sigurtë do të thotë shtimi i personelit që punon pranë Urgjencës me mjekë dhe infermierë, e sidomos atyre që merren me triazhin, sepse Urgjenca e Shërbimit Infektiv – sidomos në periudha ngarkesash, siç është kjo e tanishmja e gripit – përballet me një numër shumë të madh dhe fluks të shtuar pacientësh, që i kalon disa herë normat e punës dhe kjo e vendos personelin para një stresi shumë të madh”, tha Arjan Harxhi.

Në emër të të gjithë personelit mjekësor në këtë shërbim, Harxhi deklaron se ka ardhur koha që të rishikohet kuadri ligjor dhe dhuna e agresioni ndaj personelit mjekësor në kushtet e punës të konsiderohet formë shumë e rëndë e cënimit të personit dhe të marrë dënim maksimal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA