Bashkia e Tiranës, në përmbushje të detyrave që lindin nga “Pakti për Universitetin” ka vijuar punën për rikonstruksionin e dy godinave të tjera në “Qytetin Studenti”, ato me numër 9 dhe 10, duke e çuar kështu në 8, numrin e konvikteve ku po punohet vetëm në këtë rezidencë studentore.
Kjo, me premtimin se, përpara se studentët të marrin pushimet e verës, në të gjitha godinat e “Qytetit Studenti” do të kenë përfunduar punimet për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta, si sallat e leximit, nyjet sanitare, dushet, hidroizolimi etj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në dy godinat e vajzave, ndërsa vlerësoi faktin që rikonstruksioni po kryhet në kushte të vështira, për shkak se godinat janë ende të populluara.
“Kemi filluar me dy godina të reja dhe për t’iu dhënë një ide, dy godina kanë 180 dhoma. Pra, kanë më shumë dhoma sesa një nga hotelet më të mëdha sot në Tiranë, me 5 yje. Kjo do të thotë që rikonstruksioni i një godine studentore është thuajse i barabartë me rinovimin e një hoteli. Kur shikon që hoteleve private u duhen 2-3 vite ta sjellin në terezi një rikonstrukison, këtu po punojmë realisht në kushte spartane dhe me një rendiment të jashtëzakonshëm. Kështu që dua të falënderoj kompanitë që po adoptojnë konvikte të ndryshme”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku theksoi se përmbushet një premtim i dhënë pak javë më parë, sipas të cilit në gjysmën e godinave në “Qytetin Studenti” do të kishte nisur puna për rikonstruksionin e tyre. Ai shprehu besimin se, puna në të gjitha godinat për ambientet e përbashkëta do ketë përfunduar para se studentët të marrin pushimet e verës, e më pas të ndërhyhet për rikonstruksionin e dhomave të ndenjes.
Deri më tani, Bashkia e Tiranës, falë edhe ndihmës së donatorëve të ndryshëm ka nisur rikonstruksionin e 8 konvikteve. Më konkretisht bëhet fjalë për konviktet 5, 6, 20, 21, 27, 28 dhe së fundi edhe 9 dhe 10.
Top Channel