Në një bisedë me studentët e Vlorës, kreu i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi se qeveria aktuale ka rrënuar sistemin arsimor dhe jo vetëm atë të lartë.
“Por kurrë s’na e ka marrë mendja se pas 28 vitesh do të vinim në një stad ku për t’u emëruar në arsim duhet të merren injorantë e njerëz me precedentë penalë veçse janë anëtarë të një sekti kriminal si “Rilindja”. Kjo tani është kthyer në rregull, çka ka shkatërruar cilësinë e mësimdhënies dhe besimin e prindërve tek arsimi publik. Së pari, rikthimi tek arsimi cilësor kërkon demilitantizimin dhe demaskarizimin e sistemit arsimor. Esenciale është që ky model i degjeneruar të marrë fund një orë e më parë”, tha kreu i PD-së.
Basha deklaroi se, arsimi do të jetë në një ditë më të zezë nëse vazhdohet me këtë ligj të Arsimit të Lartë, që sipas tij i vuri kazmën universiteteve publike. Por, Basha deklaroi se PD ka edhe një premtim edhe për sistemin parauniversitar.
“Së pari, rritja e financimit për infrastrukturën parësore, shkollën, ambientet. Sipas llogarive tona kërkon një investim prej 120 milionë eurosh në vit për një periudhë 6-vjeçare që sipas projeksioneve aktuale demografike, në çdo cep të Shqipërisë të kemi infrastrukturë cilësore arsimore.
Së dyti, mbështetja me kapacitetin njerëzor, pra mësuesit dhe kapacitetet e tjera profesionale, në mënyrë që shkolla të ofrojë jo vetëm mbulimin e detyruar të programit mësimor, por edhe për të ofruar një kohë shtesë, derisa të dalin prindërit nga shkolla, në mënyrë që të avancojmë edhe aktivitete ekstrakurrikulare. Kjo kërkon një investim të fortë që konsiston me një rritje prej 25 % të numrit të mësuesve në sistemin parauniversitar”, u shpreh Basha.
Top Channel