Brenda 5 viteve, Tirana do të ketë furnizim 24 orë me ujë. Punimet për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës, e po kështu edhe për zëvendësimin e tubacioneve në rrjetin tejet të amortizuar të shpërndarjes së ujit në kryeqytet, po ecin me ritme të shpejta.
“Patëm mundësi të shohim se si në Bovillë është duke u punuar jashtëzakonisht mirë dhe për herë të parë, pas njëzet e kusur vitesh, po dyfishohet kapaciteti i Bovillës, pra i ujit që mund të fusim në sistem. Por, kjo nuk do të kishte asnjë impakt nëse vazhdojmë me linjat e amortizuara në nivel kapilar. Pra, një rrjet i bërë shoshë, si kulluese makaronash, nuk arrinte të sillte dot ujin ose e sillte me pikatore, çka vihej re në mënyrë dramatike në periudhën e verës. Jam i lumtur që, siç po punojmë aty ku është koka e problemit e po dyfishohet kapaciteti i Bovillës, po vazhdojmë me linjën e transmetimit tani në nivelin kapilar”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj premton furnizim me ujë të pijshëm edhe për zonat, që prej vitesh kanë probleme.
“Besoj që si vit i parë i planit që miratuam në Këshill Bashkiak, fillimin e kemi shumë të mbarë me Bovillën, me linjën e transmetimit që i jep ujë gjithë “Astirit” dhe zonës së Unazës së Re. Nëse e kapim këtë investim deri në fund të marsit, do të jetë një lajm shumë i mirë për banorët sepse do të thotë që do të jetë vera e parë pa probleme. Jam i bindur që do ia shohim hajrin të parët me banorët e kësaj njësie”, u shpreh kryebashkiaku i kryeqytetit.
Top Channel