Tirana do të bashkëpunojë për disa projekte të rëndësishme me Republikën e Irlandës.
Kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj është takuar me ministren e Jashtme për Europën të Irlandës, Helen McEntee, ku përveçse i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Irlanda i jep Shqipërisë në procesin e integrimit europian, mbollën edhe një pemë në sheshin “Europa”.
“Mezi pres që ky bashkëpunim, ky filiz i ri, ashtu si edhe kjo pemë e re që mbollëm, të mbijë, të hedhë rrënjë dhe të jetë një urë bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Irlanda është një mbështetëse fantastike e ambicies sonë europiane. Irlanda është një provë se çfarë mrekullie mund të bëjë anëtarësimi serioz në Bashkimin Europian dhe përfshirja në tregun europian, qoftë për zhvillimin ekonomik të dijes dhe të kulturës. Kemi disa ide edhe për çështje të kulturës, të sportit dhe besoj që shumë shpejt do të bëjmë një kalendar të përbashkët të këtyre shkëmbimeve, për të përfituar sa më shumë nga dashamirësia e qytetarëve, por edhe qeverisë irlandeze”, tha Veliaj.
Ministrja e Jashtme e Irlandës u shpreh e gatshme për mbështetje sa i përket procesit të zgjedhjeve që zhvillohen këtë vit, por gjithashtu “shpresojmë të gjejmë ura të reja bashkëpunimi dhe projekte ku të mund të punojmë bashkë”, theksoi ajo.
Top Channel