Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi unanimisht nga detyra ish-gjyqtarin e lartë Shkëlzen Selimi, duke lënë në fuqi vendimin për largimin e tij nga drejtësia dhënë gjatë verës nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit (KPK).

Vendimi u deklarua nga trupa e shkallës së dytë të Vetting-ut me kryesues Sokol Çomon, relatore ish-prokuroren e përgjithshme Ina Rama dhe anëtare Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) e dha vendimin menjëherë pasi u mbyll në dhomë këshillimi.

Shkëlzen Selimi, i etiketuar ndryshe si gjyqtari gjysë milionë eurosh, nuk u konfirmua as nga KPK. Ai është i vetmi gjyqtar i lartë që deri më tani është shkarkuar vetëm për një komponent që është papërshtatshmëria e figurës. Ndërkohë që nuk u skanuan gjetje për pasuritë e tij të dyshimta apo edhe për aftësitë profesionale përderisa ai mbylli në dhomë këshillimi dosjen e tragjedisë së Gërdecit.

Nga gjetjet e KPK-së, ish-gjyqtari i lartë rezultoi se kishte njohje me individë të krimit të organizuar dhe për pasojë është i ndikueshëm nga krimi. Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë ndërkaq se Selimi kishte kontakte të drejtpërdrejta me Arben Isufin, i njohur ndryshe me nofkën Ben Qimja dhe për të ish-gjyqtari i lartë kishte ndërhyrë për të bllokuar ekstradimin e tij në Itali.

Shkëlzen Selimi është gjyqtari i dhjetë për të cilin shkalla e dytë e Vetting-ut i nxjerr përfundimisht nga rruga e drejtësisë. Gjatë kësaj jave, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi edhe një tjetër gjyqtar të lartë, Artan Zeneli, i cili jo vetëm nuk justifikon pasuritë, por i është revokuar edhe viza nga Ambasada Amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA