Agron Hetoja ka marrë sot zyrtarisht detyrën e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrte pjesë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi dhe ish-drejtori Agim Ismaili.
Gjatë fjalës së tij ministri Çuçi vlerësoi punën e bërë deri më tani nga ish-drejtori Ismaili dhe kërkoi prej pasardhësit të tij të vijohet me vendosmërinë për rritjen e sigurisë ushqimore në vend. Ministri përmendi gjithashtu partneritetin e ri me Bashkimin Europian në fushën e sigurisë ushqimore, projekt që u prezantua një ditë më parë dhe ku AKU-ja do të ketë rol deçiziv në transformimin rrënjësor që synohet t’i bëhet kontrollit të të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor në Shqipëri.
Çuçi shprehu besimin se nën drejtimin e Agron Hetojës dhe me asistencën e Autoritetit të Sigurisë Ushqimore në Irlandë dhe homologëve finlandezë, AKU-ja do të hyjë në një fazë transformimi të madh.
Siguria ushqimore mbetet prioritet i punës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe gjithë institucioneve të tjera të varësisë. Me rëndësi të madhe këtu është edhe përfshirja e konsumatorëve, ndërgjegjësimi i tyre dhe angazhimi i përbashkët në sfidat me të cilat ndeshet sot siguria ushqimore, si një komponent i rëndësishëm edhe i sigurisë kombëtare.
Top Channel