“Shqipëria të vijojë reformat, opozita të miratojë Kodin Zgjedhor”, tha për “Deutsche Welle”-n ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth, pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

I pyetur se, sa realiste është pritshmëria e vendit tonë për të marrë në qershor, së bashku me Maqedoninë e Veriut, “dritën jeshile” për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, Roth e bëri të qartë se çdo vend kandidat matet me arritjet e veta.

Reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat e njeriut kanë rëndësi qëndrore.

“Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së, – të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri, – të jenë të bindura se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit”, theksoi zyrtari i lartë gjerman.

Ai konsideron se vettingu po ecën mirë, duke kujtuar sesi deri tani janë shqyrtuar ose janë tërhequr nga procesi paraprakisht gati 100 gjyqtarë dhe prokurorë. Por, Shqipëria rezultoi të jetë përkeqësuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, që publikon çdo vit “Transparency International”.

Këtë, Roth e sheh me shqetësim. Ai thotë se lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe se mbetet prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

I pyetur edhe mbi përgjimet e realizuara nga BIRN, në bashkëpunim me “Zërin e Amerikës”, ku flitej për blerje votash, ministri gjerman i Shtetit nënvizoi rëndësinë që ka zbatimi i Reformës Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për të forcuar sistemin zgjedhor, e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.

Këtu, ai i mëshoi rolit të opozitës, e sidomos Partisë Demokratike, sepse – siç tha, – qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA