Fiks Fare i rikthehet çështjes së metadonit, një lloj “droge” që ndihmon përdoruesit të largohen nga droga. Në vendin tonë shteti nuk ta ofron trajtimin me metadon, pasi është shumë i shtrenjtë, por ua ka lënë atë në dorë të qendrave private (OJF).
Shoqata që e ofron këtë shërbim në gjithë Shqipërinë që prej vitit 2005 është Aksion Plus. E cila sipas denoncimeve të shumta mbërritur në redaksinë e Fiks Fare e shpërndan metadonin në vende mizerabël dhe jo në prani të një stafi mjekësor apo të mbikëqyrur.
Edhe pse është një alternativ për t’u larguar nga heroina keqpërdorimi i metadonit renditet si i treti shkak që shkakton vdekje në botë, ndaj i dhënë në mënyrën e gabuar ai shkakton varësi njësoj si droga.
Fiks Fare solli një intervistë me një përdorues heroine që i ishte larguar asaj, por që kishte fituar një varësi të dytë kundrejt metadonit. Ai tregon se i është drejtuar Fiks Fare pasi kushtet dhe vendet në të cilat ua japin metadonin nuk janë të përshtatshme. “ Janë vende mizerabël, ku janë në ndërtim e sipër. Aty ku është karroca me llaç aty shpërndahet edhe metadoni” u shpreh ai.
Ai tregon se pas 18 vitesh që ka qenë i varur nga heroina tashmë prej 10 vitesh është i varur nga metadoni të cilin e merr çdo ditë. Kjo konfirmohet nga ana e Fiks Fare me pamje, ku godina në të cilën këta pacientë marrin metadonin është në rikonstruksion e sipër.
Kati përdhes i Pediatrisë në Spitali Rajonal të Durrësit është ambienti i improvizuar për shpërndarjen e metadonit dhe përveç infermieres në dhomë gjendet një tavolinë , një karrige 1 shishe metadon dhe një shiringë. Në këto kushte çdo ditë nga ora 09:00 deri në ora 12:00 bëhet shpërndarja e metadonit në Durrës. Gazetarët treguan se si metadoni ndahej nga infermierja në kushte jo spitalore, por një pacientë që paraqitet për të marr dozën e tij nxjerrë një gotë plastike dhe infermierja ia hedh metadonin në të. E pyetur nga gazetarët e Fiksit ajo nuk do të tregojë, por shprehet se po u jep mjekim pacientëve dhe se këto kushte janë për momentin, pasi ambienti është në ndërtim e sipër. Pas pranisë së gazetarëve infermierja u urdhërua që metadonin ta ndante në fshehtësi duke e mbajtur shishen në çantë dhe duke i pritur pacientët në një stol.
Gazetarët iu drejtuan nëndrejtorit të Spitalit Rajonal Durrës ku ai shprehet qartë se nuk është detyrë e tyre për t’i siguruar ambiente shoqatës “Aksion Plus”. “Në Spital, në janar të vitit 2016 ka ardhur një kërkesë nga një shoqatë “Aksion Plus”, që i kërkon një bashkëpunim që nëse është e mundur të kishte një ambient të bëhej shpërndarja e metadonit. Ju ofrua një ambient i tillë nga 2016 deri në 2018. Tani godina e pediatrisë është në rikonstruksion e sipër dhe ambienti është bërë i papërdorshëm. Ne nuk kemi lidhje fare pasi edhe ekipi që merret me shpërndarjen e metadonit kontrollohet nga shoqata jo fitimprurëse “Aksion Plus”” shprehet nëndrejtori. Të njëjtin qëndrim mban edhe DSHP Durrës ku përjashtojnë të kenë lidhje me shpërndarjen e metadonit. Këtë e konfirmon nëndrejtoresha e DSHP-së Erjona Petro “për një kohë të shkurtër, bëmë magazinimin e metadonit, për shkak të një instruksioni që na ka ardhur. As punonjësit nuk varen nga ne, nuk kemi as lista.”
Fiks Fare pyeti mjekun specialist Zihni Sulaj, shef i toksikologjisë në QSUT. Ai shpjegoi për Fiksin se metadoni është një substancë që në thelb është drogë. Ai shpjegoi se nëse nuk administrohet siç duhet është më potente se heroina dhe se mund të kthehet në një bombë të vërtet për shëndetin publik dhe individin. I vënë në dijeni nga gazetarët e Fiksit për mënyrën se si metadoni shpërndahej në Durrës ai e quajti një skandal të vërtet. “Kur pacienti duhet të marrë mjekimin me metadon në prani duhet të jetë mjeku dhe psikologu. Ta pijë në sytë e stafit, të tretët në ujë” shprehet ai . Madje ai tregon se në këtë mënyrë pacienti mund të lërë drogën, por të fitojë varësi nga metadoni , duke mos u kuruar kurrë. “ Metadoni duhet të aplikohet me kritere rigoroze, të jepet në prani të mjekut dhe të behën analiza të shpeshta në mënyrë që të vij duke u pakësuar doza e metadonit” shprehet mjeku, por kjo nuk ndodh pasi nga dëshmitë e marra nga gazetarët e Fiks Fare, pacientët kishin vite që e merrnin rregullisht çdo ditë metadonin.
Gazetarët iu drejtuan edhe shoqatës që menaxhon dhe bën shpërndarjen e metadonit “Aksion Plus”, por askush nuk pranoi që të jepte një prononcim. Gazetarëve u vu në dispozicion vetëm një kontratë shërbimi me nënpërfitues, që shoqata “Aksion Plus” ka lidhur me shtetin me vlerë prej 181.924 dollarës, duke filluar nga korriku i 2018 dhe me përfundim në dhjetor të 2019.
Për këtë problem gazetarët iu drejtuan edhe Ministrisë së Shëndetësisë , ku punonjësi i kësaj ministrie u shpreh se ishin në dijeni të problemeve që ka shoqata për të gjetur ambiente të përshtatshme për të ndarë metadonin. Ndaj kjo ministri duke bashkëpunuar edhe me DSHP- të në rrethe u kanë vënë në dispozicion ambiente dhe staf mjekësor. Ndërkohë që në DSHP-në Durrës kjo gjë u mohua si për nga ana e stafit ashtu edhe për nga ambiente. Gjithashtu ministria shprehet se shoqata e ka bërë shpërndarjen e metadonit sipas pikave të kontratave që janë lidhur midis dy palëve me rigorozitet me prani të mjekut dhe infermieres. Vetëm në rastet si dita e diel mund të kishte ndonjë parregullsi të vogël, pasi për të marr metadonin nuk mund të paraqitet vetëm pacienti por dhe tutori i tij (familjari) dhe në këto raste nuk është marr sipas tij metadoni në prani të mjekut. I pyetur nga gazetari ai pohoi se kjo shoqatë nga që nga viti 2005 që shpërndan metadonin dhe fondet që merr “Aksion Plus” në vit për këtë shërbim janë mesatarisht tek 40.000 dollar në vitë. I pyetur se kontrata e fundit ka vlerë më të madhe se ajo që ai deklaron , punonjësi i ministrisë shprehet se në këtë kontratë janë shtuar edhe dy qendra të tjera e Fierit dhe e Beratit.
Kjo shoqatë u shërben gati 800 pacientëve të cilët janë të regjistruar që marrin metadon rregullisht. Por a e bën dot një shoqatë e vetme shpërndarjen e metadonit? Shef i toksikologjisë Sulaj nuk mendon se një shoqatë e vetme mund ta bëj , madje kjo gjë ka sjell që shumë fonde të shpërdorohen dhe mjekimi mos të kryhet siç duhet. “Nëse do ishin investuar në shëndetin publik, do kishim një strukturë të shëndetit publik. Për fat të keq, kemi parë që individë që janë në trajtim në shoqatë, vijnë sërish këtu. Nuk kanë bërë progres” tha ai. Për doktorin shoqata është një strukturë paralele me shëndetin publik pa kontroll.
Shpërndarja e pakontrolluar, përdoruesit shesin metadonin
Fiks Fare në investigimin e tij për mënyrën e shpërndarjes së metadonit nga shoqata “Aksion Plus “ , tregoi rastin se si ky metadon nuk përdorej nga pacienti, por përfundonte në tregun e zi. Rasti ndodh në Korçë ku përdoruesi merr çdo ditë metadon nga kjo shoqatë dhe nuk e pi në sytë e mjekut, por e merr me vete. Këtë metadon ai ia shet bashkëpunëtorit të Fiks Fare kundrejt çmimit prej 2000 lekë dhe tregohet i gatshëm t’ia siguronte sërish.
Fiksi -Ça bere vllai si je?
Shpërndarësi-Si je? Puna mirë
Fiksi -A të tha për metadonin mor burr?
Shpërndarësi-Po.
Fiksi -Ça bere si kalove
Shpërndarësi-Mirë
Fiksi -Tani ke 20 (mije lek) këtu
Shpërndarësi-Po.
Fiksi -Dhe ndonjë gjë tjetër përveç metadonit
Shpërndarësi-Ça thua…
Fiksi -Dua të marr një copë mall o burr se jam keq… Na sajon dot ndonjë copë për nja një orë?
Shpërndarësi-Po varet o. Jo jo nuk, s’kam unë vetëm këtë.
Fiksi -Ma jep njëherë këtë.
Shpërndarësi-Të shkoj ta marr?
Fiksi -Pse se ke këtu?
Shpërndarësi-Ja këtu afër është
Fiksi -E mirë
(shpërndarësi shkon ata marri ke stoli ku e ka lënë)
Shpërndarësi-Në rregull
Fiksi -Po me ngel ndonjëherë tjetër, me ngel ndonjëherë tjetër. Sa ka ky 100 miligram?
Shpërndarësi-Po.
Fiksi -Me ngel herë tjetër a më ndihmon dot prapë?
Shpërndarësi- Po
Fiksi -Ok
Shpërndarësi-Flasim
Fiksi -Rrofsh vlla rrofsh, po s’na mbaron dot punë ëë?
Shpërndarësi-Jo,jo.
Fiksi -Ajd ,ajd…
Top Channel