Banorët e njësive administrative 1 dhe 2 kanë tanimë zyra të reja, ku mund të pajisen me kartat identiteti apo pasaporta biometrike. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë mundësuar hapjen e zyrave të reja pranë shkollës “1 Maji”.
“Tirana është gjithmonë e para sa herë që ka një nismë kombëtare, e cila duhet drejtuar me shembull. Kemi hapur zyra të reja dhe në njëfarë mënyre jemi bërë të gjithë pjesëmarrës të sipërmarrjes që quhet ‘Aleat’, ku të gjithë jemi aleatë: si pushteti vendor, ai qendror, deputetët e zonës, njësitë administrative, Gjendja Civile. Besoj që me hapjen e zyrave të reja për njësitë 1 dhe 2 te shkolla ‘1 Maji’, në hyrje të rrugës ‘Ali Demi’, kemi mundësi fantastike që punën e sotme të mos e lëmë për nesër, pra ta marrim sot kartën e identitetit”, tha Erion Veliaj.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të drejtohen në këto zyra për të aplikuar, pasi vera mund të sjellë fluks më të madh.
“T’u japim prioritet sidomos atyre që janë të moshuar, por duke pasur parasysh që në verë, përveç zgjedhjeve, do të kthehen emigrantët, do të ketë më shumë nevojë për pasaporta. Vërtet mund ta shtyjmë afatin e kartës deri në fund të 2019-s, por jashtë Shqipërisë gjërat duhet të jenë të vlefshme, ndaj për të gjitha këto arsye, tani që është relaksuar situata në pjesën më të madhe të Tiranës, dua të ftoj qytetarët që ta përdorin këtë mundësi”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve, që krahas aplikimit për karta identiteti të verifikojnë edhe emrat në listat e votuesve për zgjedhjet që do të zhvillohen në fund të muajit qershor.
Top Channel