Ashtu siç ishte programuar, këtë të mërkurë Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka zhvilluar një seancë dëgjimore me rektorët e universiteteve publike për situatën e krijuar në universitete gjatë dhe pas protestës studentore.

Sigurisht është diskutuar për menaxhimin e situatës rast pas rasti, por vëmendje i është dhënë edhe situatës financiare të universiteteve, apo edhe qëndrimit të rektorëve ndaj VKM-ve.

Të pranishëm ishin rektorët e universiteteve publike, që nga Mynyr Koni i UT-së, Arben Gjata i Mjekësisë, Kastriot Çaushi i Arteve, sikurse edhe rektorët e universiteteve të Shkodrës, Durrësit, Gjirokastrës dhe Vlorës. Munguan në këtë dëgjesë rektori i universitetit të Korçës dhe ai i Politeknikut të Tiranës.

“Një pjesë e universiteteve kanë nisur mësimin nga java e kaluar, ndërkohë që qëndrimin e Senatit ua kemi paraqitur autoriteteve përkatëse”, tha Mynyr Koni. Sipas tij, ka momente që aktet nuk autorizohen nga ligji për Arsimin e Lartë.

“Kemi ofruar bashkëpunim për kërkesat e studentëve, por Universiteti i Tiranës ka një buxhet shumë të vogël sa u përket pagave. Ndërkohë kam kërkuar edhe rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor, pasi në këto vite lë për të dëshiruar”, tha më tej Koni.

Arben Gjata i Universitetit të Mjekësisë u shpreh se, protesta ishte një sukses i madh për lëvizjen studentore, ndërkohë që tha se i kanë plotësuar kërkesat e tyre që ishin në dorë të universitetit, duke marrë edhe miratimin e studentëve për vendimet e marra prej tyre.

“Kemi organizuar një takim të përbashkët me të gjithë studentët dhe do t’i drejtohemi qeverisë me një paketë propozimesh për rritjen e cilësisë së mësimit. Në dhjetor u përballëm me një protestë që u munduam ta menaxhonim, por unë kam kërkuar që të rritet buxheti për arsimin e lartë”, tha Gjata.

Sipas tij, te Mjekësia nuk është ndryshuar asnjë tarifë studimi që prej vitit 2013. Megjithatë “studentët kanë kërkuar ndryshimin e mënyrës së mësimdhënies”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi tha se problemet janë të akumuluara prej vitesh. Kostoja e institucionit të drejtuar prej tij është ndër më të lartat, ndërkohë që studimi në këtë universitet duhet të jetë individual, tha Çaushi, i cili pati edhe një shqetësim.

“Salla e koncerteve në universitetin tonë është në gjendje të mjeruar”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA