Një polemikë e madhe ka shpërthyer mes Brukselit dhe shumë deputetëve britanikë, pasi shefi i BE-së, polaku Donald Tusk, gjatë një ndërhyrjeje në një takim në zyrat e unionit, ka deklaruar se shpresonte të kishte një vend të posaçëm në ferr për ata që bënë fushatë për Brexit-in, pa pasur një plan për ta zbatuar atë.
Ai sulmoi edhe lidershipin pro-Brexit të kryeminstres britanike Theresa May, vetëm një ditë përpara se ajo të shkojë në selinë e BE-së për bisedime të reja për t’i dhënë fund impasit për Brexit.
Pas takimit me udhëheqësin irlandez, kur edhe u bë deklarata, ky i fundit dëgjohet t’i ketë thënë presidentit të BE-së se “do e kesh punën pisk me shtypin britanik për këtë që the”, por, vazhdoi ai, “e di që ke të drejtë”.
Deputetët pro-Brexit në parlamentin britanik reaguan duke i cilësuar “arrogancë”, komentet e bëra nga Donald Tusk. Ndërkohë Downing Street ka deklaruar se “është çështje e z. Tusk, nëse e konsideron se përdorimi i një gjuhe të tillë është i dobishëm”.
Sakaq, udhëheqësi i euroskeptikëve, eurodeputeti Nigel Farage, në një postim në Tweeter shkruan: Pas Brexit ne do të jemi të çliruar nga arrogantë të tillë, të pazgjedhur, si puna juaj dhe që drejtojnë punët e vendit tonë. Kjo më duket parajsë mua.
Politikani polak i njohur për gjuhën e butë në komunikimet publike, duket se me këtë deklaratë demonstron frustrimin në radhët e udhëheqjes evropiane për mënyrën sesi Britania po e përballon sfidën e Brexit.
Por është e pazakontë për një politikan të tillë, ky nivel mosfrenimi në publik, çka jo pak e lidhin edhe me kohët kur Tusk ka qenë huligan futbolli në Poloni, në rininë e vet.
Kjo deklaratë, e cila ka irrituar shumë njerëz në politikën britanike, duket se është bërë në vendin e duhur, por në kohën e gabuar, kur si Londra dhe Brukseli do duhet të shmangnin acarimet në radhët e deputetëve britanikë, të cilët do thonë fjalën e fundit për marrëveshjen e divorcit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Top Channel