Në Prezë, 25 km larg Tiranës, kryeministri Edi Rama vizitoi një bujtinë të ringritur me mbështetjen e programit për zhvillimin rural, duke u kthyer në një sipërmarrje agroturizmi.
“Përveç paketës së lehtësimeve të taksave, tani 5% tatim fitimin, por edhe me TVSH-në 6% siç është për hotelet me 5 yje, por, siç ju kemi dhënë ju, jemi shumë të angazhuar t’i japim mbështetje financiare direkte të gjithë atyre që duan të bëjnë transformime të tilla që shkojnë në drejtim të promovimit të zonave, të bukurive natyrore”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, janë në rritje kërkesat adresuar shtetit për të marrë mbështetje financiare me qëllim ngritjen e një agroturizmi: “Ky është efekt zinxhir. Në fillim, kur bëmë thirrjen e parë nuk patëm aplikime. Tani janë bërë edhe më shumë. Në gjithë këtë peizazh, gjithkush që ka një mundësi, ka më shumë sesa aq sa i duhet për të jetuar vetë, mund ta kthejë direkt në një bujtinë shtëpinë dhe pranë shtëpisë ndërton një agroturizëm dhe gjithçka ndryshon”.
Rama ftoi të gjithë ata në emigracion që ta shikojnë agroturizmin si një mundësi për të fituar më shumë, duke investuar në fshatin e tyre.
Top Channel