Konflikti me Kodin Civil dhe cenimi i parimit të sigurisë juridike ishin pjesë e arsyeve për të cilat Presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend ligjin për Kadastrën.

Mazhoranca pranoi të rishikojë ligjin, por vetëm përsa i përket afateve të hyrjes në fuqi të tij. Në Komisionin e Ligjeve nuk mungoi debati mes relatorit Fino dhe demokratëve që mbrojtën Presidentin.

Oerd Bylykbashi tha: “Po detyrohet Presidenti që të bëjë rolin e Gjykatës Kushtetuese. Po bëni lëvizje teknike të shtetit dhe duhet të shqetësohemi përse Presidenti po detyrohet të bëhet kaq shpesh pjesë e lojës e t’i thotë “stop” Parlamentit”.

Përgjigjja e Finos ishte kjo: “Mos bëni sikur Presidenti është i juaji se e vrisni edhe atë. Presidenti është i të gjithëve”.

Sipas opozitës, mazhoranca po shkel parimet kushtetuese të pronës për t’ia marrë atë qytetarëve, ndërsa socialistët folën për sjellje hipokrite të kolegëve opozitarë.

“Keni krijuar një institucion që praktikisht është si gjykatë. I thotë qytetarit prit se ta marr unë pronën e ta kompensoj ku më teket mua”, tha Bylykbashi.

“Po e bëni këtë Edi Ramën sikur po vjedh gjithë pronat. Ju që bëni kështu, shkoni atje dhe thoni “m’i rregullo pak këto se më duhet kjo”, pastaj vini këtu e bëni sikur qani hallin e qytetarëve”, deklaroi Fino.

Demokratët paralajmëruan se ligji për pronën do të shfuqizohet me ardhjen e tyre në pushtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA