Fluks pacientësh nëpër qendra shëndetësore të cilët shfaqin simptoma të gripit. Mjekët thonë se më të prekurit janë fëmijët e vegjël dhe mosha e tretë.
Mjekja Blerta Berberi shprehet: “Aktiviteti i virozave këto ditët e fundit është rritur ndjeshëm. Pjesa më e madhe paraqitet me temperaturë të lartë, pavarësisht përdorimit të antibiotikëve”.
Krahas virusit të gripit i cili po qarkullon intensivisht në popullatë, situatë të cilën ekspertët preferojnë ta quajnë “prag epidemie”, në vendin tonë është duke qarkulluar edhe virusi i fruthit, i cili ka prekur që nga janari deri më tani 51 fëmijë, kryesisht të moshave nën 2 vjeç.
Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, tha: “Rastet e fundit janë pothuajse 90% të lidhura me kujdesin spitalor në QSUT. Pavarësisht apelit që është bërë sepse këto janë edhe të lidhura me shpërthimin e gripit”.
Numërohen gjithsej 1367 raste ku një vit më parë humbën jetën nga fruthi 3 fëmijë dhe gjatë vitit 2019 një bebe e vogël.
Ndërsa virusi i gripit AH1N1, i cili ka prekur rreth 19 mijë veta vetëm javën e fundit, për këtë vit janë shënuar 3 humbje jete për shkak të tij, ndërkohë që në reanimacionin e Sanatoriumit janë dhe dy raste të tjera në gjendje kritike.
Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje të vaksinohen sidomos ata që vuajnë nga sëmundje kronike si dhe të evitohen ambientet e mbyllura dhe të mbipopulluara. Shqetësues është fakti se spitalet e rretheve nuk janë furnizuar me të cilin trajtohen rastet me grip kur shtrohen në spital.
Top Channel