Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkuar sot në Krujë për organizimin e protestës së 16 shkurtit në Tiranë.

“Bashkëbisedova me disa qytetarë dhe pronarë dyqanesh këtu në Krujë. Gjendja shumë e rëndë. Nuk pashë një turist të trokasë në dyqanet e tyre. Klima është shumë e keqe. Ky është vendi për të dhënë një mesazh. 500 vjet më parë një vend i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe ushtarake në botë. Pse? Sepse ishin të bashkuar, sot ka ardhur koha të çohemi sepse ne kemi kauzën e drejtë. Ne do ta kthejmë Shqipërinë në binarët europianë. Ka ardhur koha të merrni në dorë fatin tuaj. Kjo është thirrja, kjo është ftesa”, tha Basha nga Kruja.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shkuar derë më derë e ka bashkëbiseduar edhe me banorët e Fushë-Krujës. Duke i prezantuar planin ekonomik të PD-së i pari i demokratëve premtoi vende të reja pune, çlirim të ekonomisë dhe zhdukje të krimit.

“Këto ditë kam nisur një tur për të takuar qytetarë, fermerë, të rinj, përfaqësues të biznesit të vogël, por po e shikoni që është e pamundur të bëhet tur bashkëbisedimi se në pak minuta e shihni si mbushen sheshet me njerëz që kanë shpresë se po vjen një shpresë e re. Këtu në Fushë-Krujë jam lodhur duke dëgjuar kujt i plasi tritioli sot, kujt i plasi dje, kush ngeli pa punë, histori që ma mbushin zemrën me trishtim. Kam ardhur sot që t’ju them se mezi po pres që me ndihmën tuaj, me bashkimin e gjithë shqiptarëve të flasim për vende të reja pune, për uljen e çmimit të naftës, për mundësi dhe për mirëqenie, për familje që e marrin ndihmën ekonomike. Të jeni të bindur që kjo ditë po vjen. Kjo ditë do vijë sa më shpejt të rrëzojmë këtë qeveri kriminale dhe këtë kryeministër hajdut”, tha Basha.

Basha shtoi se për situatën e krijuar përgjegjëse është qeveria e Ramës: “Nuk ka asnjë arsye tjetër veç keqqeverisjes, taksave të shtuara, çmimit të naftës, çmimit të energjisë që rritet. Miliarda euro që ju mbledh qeveria nuk kthehen në shërbime për ju. Gjysma e maturantëve s’do kenë mundësi të shkojnë në universitet për shkak të tarifave të larta. Kjo situatë duhet të ndryshojë. PD dhe unë kemi një plan ekonomik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA