Qyteti i Kavajës dhe gjithë opinioni publik është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Një vajzë 13-vjeçare e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” është përdhunuar nga nxënës të kësaj shkolle dhe jo vetëm. Për këtë arsye, 7 persona janë arrestuar dhe një i tetë është shpallur në kërkim.

7 adoleshentët u gjykuan nga Gjykata e Durrësit, pasi ajo e Kavajës nuk ka sesion të posaçëm për minorenët. Atyre iu dha masa e sigurisë “burg pa afat” për veprën penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal dhe që dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg.

Qytetarët e qytetit të vogël shprehen të tronditur nga ngjarja: “Jemi të shokuar, është skandal. Kemi fëmijë vetë. Përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi e të dënohen”.

Babai i vajzës, dukshëm i tronditur dhe duke refuzuar të fliste para kamerës, tregoi se mësuesit, psikologia dhe drejtoresha e shkollës kishin bërë gjithçka që përgjegjësit e ngjarjes të viheshin para drejtësisë. Ai pohoi se vajza pëlqente një shokun e klasës, që më pas u bë shantazhuesi kryesor, duke e kërcënuar se duhet të kryente marrëdhënie me djem të tjerë, pasi do t’i publikonte videon intime mes tyre.

7 adoleshentët e arrestuar ditë më parë, Gjykata e Durrësit i la në burg. Ata rrëfyen para prokurorëve se si bashkarisht kishin abuzuar seksualisht me një vajzë të mitur. Familja e saj po përgatitet të largohet nga qyteti i vogël për t’i siguruar vajzës së tyre një të ardhme më të mirë dhe larg kujtimit të keq të një ngjarje që në një qytet si Kavaja e mban gjallë mentaliteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA